Telegrafi

Krasniqi: Dekoratën nuk e pranova për arsye personale dhe për shkak të kritereve (Video)

Ish kryetari i Kuvendi të Kosovës, Jakup Krasniqi, në emisionin “Përballje” ka folur për 10-vjetorin e shtetit dhe refuzimin e dekoratës të ndarë nga ana e Presidentit Hashim Thaçi

Krasniqi, i cili në vitin 2008 kur ishte shpallur Pavarësia ka qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka folur në emisionin “Përballje” për 10 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Mes tjerash ai ka treguar edhe pse ka refuzuar dekoratën nga Presidenti Thaçi, duke thënë se në të ka edhe arsye personale.

“Nuk them që nuk ka diçka personale, por dua të them që janë dy apo tri momente që u është dashur t’i kaloj në interes të Kosovës. Një prej arsyeve ka qenë edhe afera Pronto, sepse ka qenë në publik, ku më mirë të ma kishin thënë në sy, ku për këtë janë organet e Partisë…” ka deklaruar Krasniqi në emisionin “Përballje” të transmetuar në RTV Dukagjini.

Sipas tij, arsye tjetër kanë qenë edhe mënyra e përzgjedhjes.

“Nuk ka kritere për dhënien e dekoratës. Duhet të ketë një komision për caktimin e kritereve dhe të ketë arsyeshmëri”, ka shtuar Krasniqi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar i partisë NISMA Socialdemokrate ka thënë se nga data 17 shkurt 2008 Kosova e ka adresën e vet dhe prej aty kanë filluar ndërtimet e institucioneve të pavarura të shtetit, që asnjëherë Kosova nuk i pa pasur dhe këto janë të arritura të mëdha.

“Gjatë këtyre viteve ka pasur ndryshime, ashtu si në fushën e infrastrukturës dhe arsimit, por që kemi mundur të bëjmë më shumë për zhvillimin ekonomik dhe ashtu për sistemin e drejtësisë. Mungesa e saj e ka lënë Kosovën të izoluar në luftimin e krimit ekonomik”, ka vlerësuar Krasniqi.

Emisioni “Përballje” është prodhim i Telegrafit me gazetar Muhamet Hajrullahu dhe transmetohet çdo të hënë nga ora 20:10 në RTV Dukagjini dhe Telegrafi.com. /Telegrafi/