Telegrafi

KQZ pret të marr vendimin e Gjykatës Supreme për votat e dasporës, që të vazhdojë procedimin e mëtejmë

Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se presin ta marrin vendimin e Gjykatës Supreme, e cila ka pranuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e votave të diasporës.

Valmir Elezi nga KQZ ka thënë për Telegrafin pasi ta marrin vendimin do të bëjnë procedimin e mëtejmë.

“Ne do të presim që ta marrim vendimin, për të parë të gjithë përmbajtjen, dhe do t’iu mbajmë të informuar në kohë për procedimin e mëtejmë, konform detyrimeve ligjore që kemi si institucion”, ka thënë Elezi.

Ndryshe Gjykata Supreme ka miratuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e 4,639 fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit.

Në këtë vendim është anuluar vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e LVV-së për numërim.

Lexo po ashtu Gjykata Supreme miraton ankesën e LVV-së, i kërkon KQZ-së të numërojë fletëvotimet e diasporës

Lidhur me këtë Gjykata Supreme thekson se vendimi i PZAP anulohet dhe urdhërohet KQZ për numërimin e të gjitha pakove me fletëvotime të votuesve jashtë Kosovës./Telegrafi/