Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se presin ta marrin vendimin e Gjykatës Supreme, e cila ka pranuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e votave të diasporës.
Valmir Elezi nga KQZ ka thënë për Telegrafin pasi ta marrin vendimin do të bëjnë procedimin e mëtejmë.
“Ne do të presim që ta marrim vendimin, për të parë të gjithë përmbajtjen, dhe do t’iu mbajmë të informuar në kohë për procedimin e mëtejmë, konform detyrimeve ligjore që kemi si institucion”, ka thënë Elezi.
Ndryshe Gjykata Supreme ka miratuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e 4,639 fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit.
Në këtë vendim është anuluar vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e LVV-së për numërim.
Lidhur me këtë Gjykata Supreme thekson se vendimi i PZAP anulohet dhe urdhërohet KQZ për numërimin e të gjitha pakove me fletëvotime të votuesve jashtë Kosovës./Telegrafi/