Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar ndeshjen e parë në muajin nëntor, ku luajti miqësoren me Shqipërinë.
Në takimin e zhvilluar në ‘Elbasan Arena’, kuqezinjtë u treguan më të fortë duke triumfuar me rezultat të ngushtë 2-1.
Trajneri Bernard Challandes kishte publikuar listën me 27 futbollistë të grumbulluar, por disa prej tyre mungojnë nga kjo listë.
Milot Rashica, Leart Paqarada nuk u grumbulluan fare shkaku se klubet e tyre Werder Bremen dhe St.Pauli nuk i dhanë leje.
E në grumbullim munguan edhe Idriz Voca e Florent Muslija shkaku i lëndimeve.
Por për ndeshjen ndaj Sllovenisë, Kosova përveç lojtarëve të lartëpërmendur do të ketë edhe mungesa tjera.
Njëri nga mesfushorët më të mirë të Dardanëve, Herolind Shala mungon shkaku i kartonëve, ndërsa për të njëjtën arsyeje mungon edhe Benjamin Kololli që u ndëshkua me karton të kuq në fund të ndeshjes me Greqinë.
Mungesë do të jetë edhe ajo e Betim Fazlijit që debutoi me Kosovën në miqësoren ndaj Shqipërisë, por që nuk ka drejtë loje në ndeshje zyrtare shkaku se ende nuk i është kompletuar dokumentacioni në FIFA.
Pra për takimin ndaj Sllovenisë, Dardanët nuk kanë në dispozicion lojtarët si Herolind Shala, Benjamin Kololli, Milot Rashica, Leart Paqarada, Betim Fazliji, Florent Muslija e Idriz Voca.
Por për këtë takim Dardanëve i është bashkuar edhe Valon Berisha i cili nuk luajti në ndeshjen ndaj Shqipërisë.
Ndeshja mes Sllovenisë dhe Kosovës zhvillohet të dielën në stadiumin Stozice në Lubjanë me fillim nga ora 20:45. /Telegrafi/