Të enjten në një ceremoni të mbajtur në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, janë diplomuar 445 kadetë të Policisë së Kosovës të gjeneratës së 59-të, ndër të cilët 345 janë meshkuj dhe 100 femra të komuniteteve të ndryshme.
Pas përfundimit të ceremonisë, të sapo diplomuarit shprehën emocionet dhe krenarinë e thellë për angazhimin e tyre të ri në shërbim të qytetarëve të Kosovës.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka marr pjesë në ceremoninë e diplomimit të 445 kadetëve të Policisë së Kosovës.
Osmani në këtë ceremoni tha se vendi vazhdimisht përballet me sfida të sigurisë.
“Kërcënimet dhe rreziqet janë përditshmëri e jona, ndaj është domosdoshmëri që Kosova të jetë anëtare e EUROPOL-it dhe INTERPO-it”, tha ajo, raporton Telegrafi.
E para e shtetit tha se diversiteti, ku përfshihen të gjitha komunitetet është vlerë e Policisë së Kosovës, raporton Telegrafi.
Në duar tuaja të dashur kadetë qëndron e ardhmja e qytetarëve tanë”, tha Osmani.
“Tani e tutje jeni në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës së Kosovës, pa dallim. Në këtë punë e në mision të rëndësishëm le të jenë heronjtë e Kosovës, përfshirë heroin Afrim Bunjaku ku udhërrëfyes i juaj i përhershëm se si mbrohet shteti e si i dilet zot atdheut… Kushtetuta e Republikës së Kosovës është udhërrëfyesi juaj…”, tha ndër të tjera presidentja e shtetit.
I pranishëm në këtë ceremoni ku shtetit iu shtuan edhe 445 policë të rinj ishte edhe kryeministri Albin Kurti.
Kryeministri tha se është gjithmonë ndjenjë e veçantë sa herë që i bashkohen në ceremonitë e diplomimit të policëve të rinj të Kosovës dhe ushtarëve të rinj.
Kurti ka thënë se Kosova rri mbi shtyllat e progresit të vazhdueshëm social, ekonomik e kulturor në njërën anë dhe një vendi të sigurt dhe euroatlantik në anën tjetër.
“Vendit tonë sot do t’i shtohen edhe 445 policë të rinj që do të shërbejnë gjithandej nëpër Kosovë, duke i dhënë një masë përforcuese kolegëve tjerë polic. Nga 445 policët që diplomojnë sot, 345 janë djem, 100 vajza. 357 policë janë shqiptar dhe 88 nga komunitetet jo shumicë, prej tyre 37 janë serb, 27 boshnjakë, 7 turq, 7 egjiptian, 6 ashkali dhe 4 janë rom. Respektoni dhe nderoni uniformën dhe punën tuaj”, tha Kurti. /Telegrafi/