Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e së martës në qytetin e Korçës, ku një person ka përplasur aksidentalisht djalin e tij të mitur.
Sipas mediave në Shqipëri, aksidenti ka ndodhur rreth orës 19:30, në lagjen nr. 6, Korçë, ku shtetasi R. K., duke drejtuar automjetin tip “Opel”, dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit dhe për pasojë ka aksidentuar djalin e tij 6-vjeçar.
Mësohet se 6-vjeçari i ka prerë rrugën me biçikletë përpara banesës dhe i ati e ka marrë përpara me mjet. I mituri ndodhet aktualisht në spital nën kujdesin intensiv të mjekëve.
“Më datë 30.08.2022, rreth orës 19:30, në lagjen nr. 6, Korçë, shtetasi R. K., duke drejtuar automjetin tip “Opel”, dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit dhe për pasojë ka aksidentuar djalin e tij të mitur 6-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Korçës nën kujdesin intensiv të mjekëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje, bëhet e ditur se grupi hetimor po kryen veprimet procedurale dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. /Telegrafi/