Telegrafi

Koncerti “Ne e duam Mançesterin” i Ariana Grandes me miqtë, grumbullon 10 milionë funte (Foto/Video)

Mançesteri i ka thënë “JO” terrorizmit dhe frikës, 13 ditë pas sulmit në koncertin e Ariana Grandes, ku humbën jetën 22 njerëz.

Këngëtarja amerikane u rikthye në qytetin britanik mbrëmjen e të dielës, duke kryesuar një koncert bamirësie për 50.000 fansa në Old Trafford, më pak se tri kilometra larg Manchester Arena.

Këtë herë, Grande nuk ishte vetëm, por e shoqëruar nga një sërë emrash të njohur të muzikës, të cilët e shndërruan koncertin në një mbrëmje uniteti, shërimi dhe gëzimi. Pavarësisht rrethanave, atmosfera festive dominoi shfaqjen.

Lexo po ashtu Pas tragjedisë, Ariana Grande takon fansat në spitalin e Manchesterit (Foto)

 

“Ju dua shumë dhe mendoj se kjo lloj dashurie e uniteti që po tregoni është ilaçi që i duhet botës”, ka thënë mes tjerash këngëtarja gjatë koncertit, transmeton Top Channel.

 

Grande, e cila në disa raste nuk ka mundur t’i përmbajë lotët, performoi me Miley Cyrus dhe Black Eyed Peas, ndërsa mes pjesëmarrësve të tjerë në koncertin e quajtur “One love Manchester” ishin Katy Perry, “Coldplay”, Robbie Williams, Liam Gallagher e Justin Bieber.

Të pranishmit duket se e shijuan në maksimum mbrëmjen dhe jo vetëm fansat, por edhe efektivët policorë e stafi mjekësor, që kërcyen e kënduan bashkë me këngëtarët. Grande u shfaq disa herë gjatë koncertit dhe tha se kishte ndryshuar listën e këngëve në momentin e fundit, pas një takimi me nënën e 15-vjeçares Olivia Campell-Hardy, e cila ishte në mesin e 22 viktimave të sulmit.

Ajo këndoi gjithashtu “Don’t Look Back in Anger”, në një duet me Chris Martin, përpara se ky i fundit të shoqëronte vokalistin e “Oasis”, Liam Gallagher, në këngën “Live Forever”.

Organizatorët thanë se evenimenti i kishte grumbulluar dy milionë funte për viktimat dhe familjarët përmes donacioneve “online”, duke e çuar totalin e fondit “Ne e duam Mançesterin” në më shumë se 10 milionë funte.