Site icon Telegrafi

Kompanitë mbeten të kënaqura nga edicioni i katërt i Festivalit të Gjelbër

Për dy ditë në sallën “1 Tetori” u mbajt edicioni i katërt i Festivalit të Katërt.

Mbi 40 kompani vendore prezantuan produktet dhe shërbimet e tyre.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, për Telegrafin tha se, ky festival është për ekonominë e gjelbër.

“Festivali i Gjelbër që po mbahet sivjet është edicioni i katërt. Është organizim i Klubit të Prodhuesve të Kosovës në bashkëpunim me USAID-in si dhe akterët tjerë që e kanë përkrah festivalin. Është festival për ekonominë e gjelbër për produktet që janë të riciklueshme, menaxhim të mbeturinave, eficiencë të energjisë, pastaj në burimet e ripërtërishme si dhe produktet tjera që janë prodhuar nga proceset e gjelbra”, tha Panxha.

Gentiana Mehmeti nga BONEVET tregoi se çfarë po prezanton kjo kompani.

“Bonevet është hapësirë mësimore për fëmijë dhe të rritur për trajnime profesionale. Sot po i promovojnë të gjitha projektet e fëmijëve dhe trajnimet profesionale. Në këtë festival ne kemi synuar që kompanitë dhe të gjithë vizitorët t’i njohin se çfarë janë trajnimet profesionale në Bonevet dhe pse duhet të bëhen pjesë e trajnimeve”, tha për Telegrafin, Mehmeti.

Ndërsa, Besim Bashota nga Prova Center ka prezantuar përparësitë dhe përfitimet e sistemit smart home.

“Prova Center në këtë festival po merr pjesë me kryesisht me sistemet smart home. Këto është një koncept që në bazë të teknologjisë së avancuar që iu mundëson shtëpive të kontrollohen në nëpërmjet telefonave të mençur. Është sistemi që e lehtëson jetën dhe e bënë më komode, ku të njëjtën kohë është efecient, pra kursen. Deri dikur janë arritur ato pritje, ka vizitor, ne kemi bërë edhe ndonjë marrëveshje, kontakte të reja me kompani ndërtuese, me njerëz të cilët janë nga fusha e ndërtimit”, tregoi Bashota.

KAWA Group në këtë festival e prezantoi projektin afarist dhe banesor që po e ndërton kjo kompani.

“KAWA Group e ka marr përsipër që hyrjen në Prishtinë ta bëjë ta bëjë më ikonike, ku përmes projektit që jemi duke e prezantuar edhe gjatë këtyre dy ditëve në festival, Lord Residence. Ky projekt përfshinë katër kulla, e cila e para është hotel, ndërsa tri të tjerat janë objekte banesore dhe janë tre kate që përbëjnë qendra tregtare”, tha për Telegrafin, Egzona Krasniqi nga KAWA Group.

Edicioni i katërt i Festivalit të Gjelbër ishte i fokusuar në teknologjinë e gjelbër dhe inovative, energjinë e ripërtërishme, urbanizimin e qëndrueshëm, ndërtimin e dizajnin dhe mbrojtjen e ambientit.

Lexo po ashtu Festivali i Gjelbër po vjen më 30-31 tetor, bashkon 45 kompani vendore

Pjesë e festivalit kanë qenë edhe Forumet e Gjelbra, ku ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë i kanë prezantuar risitë e fundit dhe të ardhshme të industrisë në riciklim, energji të ripërtërishme dhe eficiencë të energjisë, duke theksuar rëndësinë e energjisë së gjelbër. /Telegrafi/

Exit mobile version