Site icon Telegrafi

Komisioni hetimor për deportimin e turqve me raport të plotë, evidentohen 31 shkelje

Komisioni Hetimor Parlamentar për depërtimin e gjashtë shtetasve tashmë posedon raportin e plotë, e ku janë evidentuar 31 shkelje, ndërsa do të dorëzohet në orën 11:30, në Prokurorinë e shtetit.

Kështu tha në një konferencë për media, deputeti Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj.

Nënkryetar i këtij Komisioni, Driton Selmanaj tha se procesi i punës në këtë komision është penguar nga zyrtarët e papërgjegjshëm.

Ai tha se disa nga zyrtarët e shtetit kanë pasur informata të mjaftueshme në lidhje me procesin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Lexo po ashtu Dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova, Haradinaj tregon në detaje ngjarjet e asaj dite

“Zyrtarët e papërgjegjshëm të pushtetit na kanë penguar ta përfundojmë punën siç duhet. Komisioni Hetimor Parlamentar, asnjëherë s’ka arritur të jetë i plotë pasi përfaqësuesi i Listës Serbe s’ka ardhur asnjëherë. Edhe PSD-ja vetëm në katër takime ka marr pjesë. Kishte tendencë të vazhdueshme që mbledhje e komisionit të ishin të mbyllura. Na pamundësuan që të mbajmë takime të shpeshta edhe kur deputetët e PDK-së nuk vinin në mbledhjet e komisionit. Probleme tjera, janë që Komisionit nuk i janë dorëzuar dokumente të rregullta si nga AKI-ja dhe nga Aeroporti i Prishtinës. S’na kanë dhënë incizimet ndërmjet zyrtarëve dhe personave të AKI-së, incizimet e aeroportit të Prishtinës. Në tri kërkesat tona s’kemi marr përgjigje pozitive nga presidenti i vendit, i cili e ka injoruar punën e Komisionit hetimor parlamentar.  Në orën 11:30 do ta dorëzojmë raportin në zyrën e Prokurorisë. Duke pas informata të mjaftueshme që disa nga zyrtarët e shtetit kanë pasur informata të mjaftueshme atëherë, ata kanë kryer vepër penale”, ka thënë Selmanaj.

Ndërsa, kryetari i këtij Komisioni, Xhelal Sveçla theksoi se Komisioni ka gjetur shkelje në çdo fazë që nga revokimi i lejes deri te dëbimi i tyre nga Kosova.

Lexo po ashtu Deportimi i shtetasve turq, Berisha: Nuk kemi qenë të informuar për natyrën e fluturimit

“Komisioni ka gjetur shkelje në çdo fazë që nga revokimi i lejes deri te dëbimi i tyre nga Kosova. Eksperti i angazhuar nga Komisioni ka konstatuar gjithsej 31 shkelje, ndër to ish drejtori i AKI-së, Driton Gashi ka kërkuar revokimin e leje qëndrimit me pretekst të rrejshëm, në bazë të dyshimit se gjoja ata ishin terroristë… Shtetasit turq nuk ishin terroristë dhe as të dhunshëm pse janë dëbuar nga Kosova?”, potencoi Sveçla, raporton Telegrafi.

“Më 29 mars të vitit 2018, dy agjencitë kryesore me urdhër të eprorit të tyre kanë bërë shkeljen më të madhe të sovranitetit të saj, AKI-ja dhe Policia e Kosovës. Duke bërë shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës së Kosovës por edhe të Konventave ndërkombëtare ata arrestuan gjashtë shtetas turq me qëndrim të ligjshëm dhe i dorëzuan në një shërbim të jashtëm”.

Lexo po ashtu Sveçla: Ende nuk është e qartë se nga ka ardhur urdhri për deportim të gjashtë shtetasve turq

“ Më 12 dhe 19 mars një zyrtar nga AKI shkon në zyrën për shtetësi dhe azil në  Ministrinë e punëve të Brendshme…Më 22 mars drejtori i AKI-së, kërkon nga MPB-ja revokimin e leje qëndrimit të shtetasve turq, ku edhe nxirren ato vendime…Më 29 mars grupi i parë i policisë filluan aksionin. Përfundimi i aksionit është me fluturimin e avionit në orën 10:50. Me 31 mars kryeministri i Kosovës, kërkon fillimin e hetimeve nga kryeprokurori i shtetit, Policia e Kosovës, AKI-ja, MPB-ja, IPK-ja, autoriteti i aviacionit civil dhe Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajrorë”, ka treguar Sveçla.

Lexo po ashtu Komisioni hetimor evidenton shkelje ligjore në deportimin e gjashtë shtetasve turq

Ndryshe, më 29 mars të vitit 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë është mjek.

Deportimi i tyre ishte zhvilluar përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të Inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Por, që deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit patën deklaruar se nuk kishin fare njohuri lidhur më rastin.

Lexo po ashtu Intervistohen policët e Aeroportit për deportimin e ‘gylenistëve’

Pas këtij rasti, kryeministri Ramush Haradinaj pati liruar nga detyra Driton Gashin dhe ministrin e Punëve të Brendshëm, Flamur Sefaj.

Gjashtë shtetasit turq, të dëbuar nga Kosova, Ankaraja i ngarkon me dyshimin se janë anëtarë të organizatës “Hizmet” të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen dhe e fajëson këtë të fundit se qëndron pas një tentim-puçi në korrik të vitit 2016.

Dëbimi i tyre kishte nxitur reagime të ndryshme të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, posaçërisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e kanë dënuar veprimin e institucioneve të Kosovës. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version