Site icon Telegrafi

Komisioni Evropian insiston që serbët e Kosovës me pasaporta serbe të udhëtojnë pa viza

Komisioni Evropian (KE) ka thënë të shtunën se pret që në procesin e përbashkët ndërinstitucional në Bashkim Evropian (BE) të miratohet kërkesa e tij që liberalizimi i vizave të vlejë edhe për bartësit e pasaportave të Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës.

Ky propozim është kundërshtuar nga Qeveria e Kosovës, e cila u është drejtuar KE-së dhe vendeve anëtare të BE-së me argumente kundër një vendimi të tillë.

Në prill të vitit të kaluar, KE-ja kishte theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën – i cili hyri në fuqi më 1 janar – vlente vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Por, tani komisioni dëshiron që edhe serbët e Kosovës me pasaporta serbe të mundë të udhëtojnë pa viza sa më parë, pasi më 16 nëntor propozoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të vlejë edhe për ata.

“Pasi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, ky propozim do të plotësojë hyrjen në forcë të regjimit pa viza për bartësit e pasaportave të Kosovës. Kjo di tu mundëson të gjith qytetarëve të Ballkanit Perëndimore të udhëtojnë pa viza në BE“, tha për Radion Evropa e Lirë Anitta Hipper, zëdhënëse e Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme.

Komisioni gjithashtu i hodhi poshtë edhe pretendimet se serbët e Kosovës po diskriminohen pasi për ta akoma nuk vlen liberalizimi i vizave.

Lexo po ashtu Mbi 20 organizata nga Kosova letër Komisionit Evropian: Tërhiqeni propozimin që i lejon udhëtim pa viza serbëve të Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia

“Banorët serbë po ashtu mund të zgjedhin të aplikojnë për pasaporta biometrike të Kosovës për të udhëtuar në BE pa viza nga 1 janari i vitit 2024“, tha ajo.

Me propozimin e KE-së janë duke u marrë shtetet anëtare në Këshillin e BE-së dhe në Parlamentin Evropian, të cilin komisioni pret që ato ta miratojnë, tha Hippet.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 20 nëntor ia dërgoi një letër Komisionit Evropian dhe Këshillit të BE-së ku thotë se ky propozim shkel sovranitetin e Kosovës, pengon integrimin e serbëve në Kosovë dhe hap rrezikun e përdorimit të të dhënave të pasakta çka paraqet edhe kërcënim të sigurisë.

“Lëshimi i pasaportave nga Qendra ilegale koordinuese e Serbisë, që i konsideron komunat në Kosovë si pjesë e juridiksionit të Serbisë, është shkelje serioze e sovranitetit”, thuhet në letrën e Qeverisë së Kosovës, ku rikujtohet se Bashkimi Evropian e ka konsideruar Kosovën si të vetmin autoritet legjitim për regjistrin civil me të drejtë të lëshimit të pasaportave për qytetarët që jetojnë në hapësirën e saj.

Qeveria e Kosovës i ka hedhur poshtë pretendimet se serbët nuk do të përfshiheshin në liberalizimin e vizave pasi ata, me procedurë të përshpejtuar dhe të thjeshtëzuar, mund të pajisen me pasaporta të Kosovës.

Në letrën e Qeverisë së Kosovës jepen edhe shifrat, sipas së cilave vetëm në dhjetë muajt e parë të këtij viti 4.350 serbë të Kosovës kanë marrë pasaporta të Kosovës, që është rritje prej 29 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më 1 janar të këtij viti nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Exit mobile version