Telegrafi

“Kom me ta shpraz karikatorin n’kry…”, katër persona rrahin brutalisht një të ri në Pejë

Në një video incizim, i cili është duke qarkulluar në disa media, shihen katër persona duke rrahur brutalisht një të ri.

Policia e Kosovës ka njoftuar për Telegrafin se rasti ka ndodhur më 07 tetor, ndërsa në video shihet se si katër personat e rrahin viktimën, i cili i shtrirë po përpiqej të mbrojë kokën, derisa sulmuesit po e shqelmonin dhe goditnin me grusht dhe shkop.

Njëri nga sulmuesit derisa e godiste, ai po ashtu edhe e kërcënonte duke i thënë viktimës: “Kom me ta shpraz karikatorin n’kry”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi në një prononcim për Telegrafin tha se ngjarja ka ndodhur më 07.10.2022 rreth orës 12:40, në Pejë.

Sipas tij, rasti i raportuar nga vetë viktima, kurse nga prokurori i Shtetit është iniciuar si ‘Lëndim i lehtë trupor”.

Ai tutje tha se viktima kishte raportuar se nuk i njihte personat që e kanë sulmuar.

Gashi tregoi po ashtu se në lidhje me rastin, pas një video incizimi, njësitet e hetuesisë kanë identifikuar katër persona të dyshuar dhe kanë arritur t’i arrestojnë.

“Rasti ka ndodhur më 07.10.2022 rreth orës 12:40 minuta, viktima ka raportuar se ishte sulmuar nga disa persona të rinj të panjohur për të. Rasti nga prokurori i Shtetit është iniciuar si ‘lëndim i lehtë trupor’. Më datë 15.10.2022, njësiti i hetuesisë në Pejë ka arritur përmes një video incizimi t’i identifikojë dhe t’i arrestoj katër personat e dyshuar”, ka thënë ai.

Tutje Gashi u shpreh se ndaj tre personave (një i rritur, dy të mitur) është caktuar masë e ndalimit policorë, ndërsa ndaj personit të katërt pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

“Ndaj tre personave të dyshuar është caktuar masë e ndalimit policorë, ndërsa ndaj të dyshuarit të katërt pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. I dyshuari i parë përveç veprës ‘lëndim i lehtë truporë’ është ngarkuar dhe me veprën penale ‘kanosje’”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, i dyshuari i parë është mbajtur në paraburgim për 48 orësh, ndërsa dy të tjerët nga 24 orë pasi janë të mitur.

Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi për Telegrafin tha se janë arrestuar personat e dyshuar.

“Personi i dyshuar i moshës madhore është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij prokurori i shtetit ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ku kërkesa e Prokurori të Shtetit është aprovuar nga Gjykata. Për dy personat e dyshuar ( të mitur) për njërin është bërë masa e arrestit shtëpiak, ndërsa për tjetrin ndalimi i afrimit të personit”, ka thënë Nikçi.

Sipas burimeve të Telegrafit personit të mitur që i është shqiptuar masa e ndalimit në arrest shtëpiak është në shkollë fillore. /Telegrafi/

Në videon më poshtë të Kallxo.com, shihet momenti kur i riu rrahet brutalisht:

Pamje të rënda!