Pas takimit ditë më parë, të dy kandidatëve për kryeministër, Albin Kurtit nga LVV dhe Vjosa Osmanit nga LDK, sot pritet që për herë të parë të takohen grupet punuese të dy subjekteve për të harmonizuar programin që mund të çojë drejt një marrëveshje paszgjedhore.
Takimin mes dy grupeve e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka. Manxhuka ka thënë se grupet punuese të dy partive do të takohen sot për të vazhduar bisedimet.
Grupi Punues i Vetëvendosjes përbëhet nga Besnik Bisilimi dhe Glauk Konjufca , ndërsa LDK-në në këto negociata e përfaqësojnë tre anëtarët e kryesisë, Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku dhe Avdullah Hoti.
Kujtojmë se para disa ditësh, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka theksuar se me Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk do të diskutohet për postin e kryeministrit.
Ai para mediave ka shtuar se në qeverisje me LDK-në do të ketë përfshirje të grave 30 për qind.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, partia e parë është Vetëvendosje me 25.50 %, pas saj radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.83 %, kurse Partia Demokratike e Kosovës radhitet e treta me 21.25%. /Telegrafi/