Telegrafi

Klubi i tij u tërhoq nga garat, Valmir Veliu shkon në huazim te kolonia shqiptare e Istanbulspor

Valmir Veliu që ka kontratë me Gaziantepin, do ta vazhdojë si huazim deri në fund të sezonit te Istanbulspor.

Gaziantepi dhe Hatayspori janë tërhequr nga garat pas tërmetit të rëndë që e goditi Turqinë më datën 6 shkurt.

Federata e Futbollit e Turqisë ua ka lejuar klubeve regjistrimin edhe të dy lojtarëve të huaj deri në fund të këtij edicioni.

Sulmuesi Veliu pret të ketë hapësirë edhe në radhët e Istanbulsporit, ku aty gjen lojtarë shqiptarë të tjerë si Valon Ethemi, Eduard Rroca, Jemir Topalli, Sindrit Guri dhe Florijan Loshaj.

Veliu u transferua te Gaziantepi verën e vitit të kaluar nga skuadra e Llapit, ndërsa ka kontratë deri në vitin 2025.

Lojtari në një intervistë për Koha.net ka thënë se e kanë pritur shumë mirë në klubin e ri dhe se do të jap maksimumin.

22-vjeçari në 15 ndeshje të luajtura ka shënuar një gol dhe ka kontribuar me një asistim. /Telegrafi/