Sulmuesi i Fenerbahces dhe Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi ka përfunduar në radarin e klubit anglez, West Bromwich Albion, i cili ka gati një ofertë për shërbimet e tij.
Muriqi ka zhvilluar një super-sezon me klubin e madh turk duke shënuar 15 gola dhe duke shtuar gjashtë asistime në 31 ndeshje në të gjitha garat.
Forma e tij e mirë dhe paraqitjet në nivel të lartë kanë bërë shumë klube evropiane, në veçanti ato angleze të vihen pas tij.
Klubi i fundit që ka shprehur interesim për shërbimet e yllit prizrenas të Kosovës është West Bromwich Albion.
WBA është afër inkuadrimit në Ligën Premier për sezonin e ri dhe trajneri i tyre kroati Slaven Bilic e pëlqen tej mase Muriqin.
Sipas të përditshmes turke Sabah, WBA ka gati një ofertë prej 20 milionë funtesh apo 22 milionë eurosh për sulmuesin e Kosovës.
Oferta e klubit anglez pritet të formalizohet pasi të përfundojë sezoni në Championship dhe të hapet afati kalimtar i verës. /Telegrafi/