Ish-sulmuesi i Lazios, Miroslav Klose ka lavdëruar trajnerin e Milanit, Stefano Pioli, ndërsa ka thënë se ai mund të fitojë titullin kampion në Serie A.
Klose dhe Pioli kaluan dy sezone së bashku me Biancocelestët dhe fituesi i Kupës së Botës me Gjermaninë beson se italiani mund të sjellë sukses të madh në San Siro.
“Mund të them se Pioli është shumë i mirë”, ka thënë fillimisht Klose për La Gazzetta dello Sport.
“Unë nuk e di nëse kishte diçka në të vërtetë midis Milanit dhe Rangnick”.
Ish-përfaqësuesi i Gjermanisë, i cili aktualisht është ndihmës trajner në Bayern Munich ka thënë se Pioli mund ta rikthejë Scudetton në Milano.
“Ai është i sinqertë, është njeri, është i kompletuar. Ai i përmirëson lojtarët. Ai thjesht ka nevojë për kohë”.
“Ai duhet të njohë lojtarët dhe ata duhet ta njohin atë. Çfarë pret trajneri në stërvitje, dhe e njëjta gjë për lojtarët”.
“Nëse Milani i jep Piolit mundësinë për të punuar për një kohë të gjatë, atëherë ata do të fitojnë. Ekipi gjithashtu mund të fitojë Scudetton”, përfundoi gjermani. /Telegrafi/