Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp pranon se ai kishte dyshimet e tij për sulmuesin Sadio Mane kur e shikoi për herë të parë gjatë kohës te RB Salzburgu.
Ylli i Senegalit ka arritur të bëhet njëri nga lojtarët më të mirë në futbollin botëror, ndërsa kulmoi duke fituar Ligën e Kampionëve verën e kaluar.
Mane tani është thuajse ylli kryesor i Reds, por Klopp e ka pranuar se ai nuk ishte veçanërisht i impresionuar me përshtypjen e parë që i dha sulmuesi.
“Mbaj mend takimin tim të parë me Sadio. Ai ishte në Dortmund. Ishte një djalosh i ri i përulur. Mbante një kapelë të bejsbollit dhe një vijë të bardhë në flokët e tij që ende e ka edhe sot”, ka thënë fillimisht Klopp.
“Ai dukej si një reper fillestar. Mendova: “Nuk kam kohë për këtë”. Ekipi ynë atëherë në të vërtetë nuk ishte i keq. Unë kisha nevojë për dikë që mund të zhvillohej, por të mos ishte fillestar”.
“Do të thosha se kam një ndjenjë mjaft të mirë për njerëzit, por a nuk gabova!”.
“Unë ndoqa karrierën e tij të mëtejshme dhe suksesin e vazhdueshëm në Salzburg. Në Southampton ai thjesht dominoi”, përfundoi trajneri i Reds. /Telegrafi/