Menaxheri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka thënë se largimet kryesore në Kupën e Kombeve Afrikane muajin e ardhshëm – përfshirë Mohamed Salah dhe Sadio Mane – nuk do të bëjnë që klubi të përpiqet të blejë zëvendësues afatshkurtër.
Kupa e Kombeve të Afrikës është paraparë të zhvillohet në muajin janar dhe shumë klube evropiane do të ndikohen nga kjo garë.
Njëri nga klubet që do të preket më shumë padyshim se është Liverpooli, i cili do të duhet të bëjë një muaj pa dy yjet kryesore të ekipit, Salah dhe Mane.
Megjithatë, trajneri i Reds, Klopp ka thënë se largimet e tyre nuk do të ndikojnë në politikën transferuese të ekipit, pasi nuk pritet të ketë ardhje të reja në janar.
“Jam i kënaqur me skuadrën dhe ne kemi ende opsione”, ka thënë fillimisht Klopp për gazetarët.
“E dinim se tre do të kualifikoheshin dhe do të ishin atje dhe e dinim që të paktën dy prej tyre do të shkonin shumë larg në turne”.
“A mund të jeni të përgatitur për diçka të tillë, siç duhet, në mënyrë perfekte? Si një zëvendësim një për një për Sadion, një zëvendësim për Mo, një zëvendësim për Naby Keita? Kjo është e ndërlikuar në çdo situatë”, përfundoi gjermani. /Telegrafi/