Mes të gjitha bisedave për Superligën Evropiane, tifozët e Ligës Premier do ta lënë mënjanë atë, për të pritur me padurim duelin e dy ekipeve të para në renditje, Liverpool dhe Arsenal, që do të takohen nesër (e shtunë) në “Anfield”.
“Topçinjtë” e Mikel Artetas kryesojnë tabelën me 39 pikë, një më shumë se “Të Kuqtë” e Jurgen Klopp, teksa kanë vazhduar përgatitjet për udhëtimin në “Anfield” në atë që premton të jetë një spektakël.
Liverpooli do të synojë rikthimin tek fitoret në ligë pas barazimit xhiron e kaluar me rezultat 0-0 ndaj Manchester United dhe do të kërkojnë të vazhdojnë me paraqitje të tilla si në fitoren e thellë 5-1 ndaj West Hamit në mesajvë, në kuadër të kupës EFL.
Por, trajneri i tyre Klopp ka pranuar gjithashtu se Arsenali ka gjithçka që i duhet për të fituar Ligën Premier këtë sezon.
“Ata dukeshin ashtu (kampionë) vitin e kaluar. Ndeshja jonë këtu me ta (2-2), ata ishin të jashtëzakonshëm deri në momentin kur ne gjetëm një mënyrë për të hyrë në lojë. Në fund, ne duhej të fitonim. Tani ata kanë sjellur Rice dhe Havertz, kjo nuk iu bën ju më të dobët”, ka thënë fillimisht Klopp.
“Ata kanë një përzierje të mirë të fizikut dhe teknikës. Janë të stërvitur shumë mirë dhe ne do të luajmë ndaj një skuadre shumë të fortë. Ata janë më të mirë se sezonin e kaluar”, shtoi ai.
Një tjetër aspekt që preku Klopp gjatë intervistës ishte atmosfera në “Anfield”, e cila nuk i pëlqeu aspak gjermanit në ndeshjen ndaj West Hamit.
“A ishin të gjithë të dëshpëruar sepse nuk e shkatërruam Manchester United? Ne kemi nevojë për Anfield të shtunën”, ka thënë ai pas ndeshjes.
Sezonin e kaluar kur këto dy skuadra u takuan, Arsenal doli fitimtar në duelin e luajtur në “Emirates” me rezultat 3-2, por u ndal me barazim 2-2 në “Anfield”, aty ku Liverpooli u rikthye nga disavantazhi prej dy golave./Telegrafi/