Telegrafi

Klopp flet për shkarkimin e Gerrard nga Aston Villa: Është i zhgënjyer, por nuk ka nevojë për t’u shqetësuar

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka komentuar shkarkimin e Steven Gerrard nga Aston Villa, duke thënë se anglezi nuk ka pse të shqetësohet pasi beson se do të gjejë sërish punë në të ardhmen.  

Aston Villa pati një fillim të dobët në sezonin e ri në Angli dhe në fund çmimin e pagoi trajneri Gerrard, i cili u shkarkua të njëjtën mbrëmje pas humbjes 3-0 nga Fulham.

Klopp thotë se ka folur me të pasi kjo ndodhi, dukë thënë se mund të ndjehet i zhgënjyer për një arsye, duke i ditur ambiciet e tij.

“Ne folëm pas shkarkimit të tij, biseduam në telefon… Nuk mund të them asgjë për gjendjen e tij emocionale, por mendoj se ai është i zhgënjyer, duke pasur parasysh ambiciet e tij”,

“Por unë gjithashtu mendoj se nuk duhet të shqetësoheni për të, ai e kupton që gjëra të tilla ndodhin. Që kur ka mbaruar karrierën e tij si lojtar, ai gjithmonë ka punuar”, ka thënë Klopp.

Aston Villa aktualisht është në vendin e 17-të në Angli me 9 pikë të fituara nga 11 ndeshje të luajtura.

Mediat angleze shkruajnë se trajner i ri i klubit mund të jetë Mauricio Pochettino. /Telegrafi/