Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, i ka përgënjeshtruar spekulimet se klubi i tij do të bëjë ofertë për Gareth Bale, duke thënë se uellsiani është shumë i shtrenjtë.
Anësori i Real Madridit pritet të largohet nga Santiago Bernabeu në këtë verë, duke qenë se Zinedine Zidane ia ka treguar derën.
30-vjeçari është lidhur me një kthim në Ligën Premier, ku ka luajtur te Tottenham Hotspur gjatë viteve 2007-2013.
Ish-ylli i Liverpoolit, Paul Ince, kishte sugjeruar të martën se Redsat ishin ndër klubet e interesuara për shërbimet e futbollistit të Los Blancos. Megjithatë, Klopp i ka hedhur poshtë këto sugjerime.
“Bale është lojtar i Real Madridit dhe nëse largohet do të jetë për një çmim të jashtëzakonshëm dhe për rrogë të madhe”.
“Ai është një lojtar fantastik, më pëlqen shumë, por nuk bën për ne. Duhet të ndërtosh një skuadër. Ekipi nuk është grumbullimi i lojtarëve më të mirë individualë, ata duhet të punojnë së bashku”, është shprehur trajneri gjerman për Sky Sports News. /Telegrafi/