Poezi nga: Marin Sorescu
Përktheu: Aurel Plasari
Jetonin së toku prej kohësh
dhe në njëfarë mënyre
kishin nisur të ishin njëri-tjetri:
ai ishte ajo,
ajo ishte ai,
ajo ishte ajo,
ajo ishte dhe s’ishte ajo,
dhe ai ishte ajo
ose diçka e tillë.
Mëngjeseve, sidomos,
sa pa e sqaruar mirë
cili ishte gjithsecili
e gjithsecili ishte cili,
kalonte goxha kohë,
rridhte koha si ujë.
Nganjëherë donin të putheshin,
por e kuptonin, në një çast të caktuar,
se që të dy ishin e njëjta gjë
dhe u duhej të puthnin vetveten.
Atëherë, të frikur, zinin e gogësinin,
një gogësimë si lesh i butë
që mund të tirrej e tirrej papushim kësisoj:
njëra gogësinte gjithë delikatesë,
ndërsa tjetri i mbante turrën e leshit.
_________________