Site icon Telegrafi

“Kishte një parandjenjë se do të vdiste”: Rrëfimi për operatorin ukrainas të dronëve që u vra një ditë para transmetimit të një dokumentari, pjesë e të cilit ishte edhe ai

Një operator ukrainas i dronëve që ndiqej nga një ekip xhirues kishte frikë se jeta e tij mund të përfundonte në ‘çdo moment’.

Dhe ashtu siç me gjasë e kishte një parandjenjë – ai u vra një ditë para transmetimit të dokumentarit, shkruan Business Insider, përcjell Telegrafi.

Sipas mediumit në fjalë, për ditë të tëra, një ekip dokumentarësh izraelit flinte, hante dhe jetoi së bashku me Evgeniy “Dodge” Markarov, një operator ukrainas dronësh, ndërsa ai vazhdonte të mbronte vendin e tij nga sulmet ruse.

Lexo po ashtu "Ka pak vend për gabim": Rrëfimi i pilotit që ka kryer misione të panumërta luftarake me helikopter, kundër rusëve në Ukrainë

Pamjet e 39-vjeçarit përbënin një pjesë thelbësore të dokumentarit që u transmetua në një televizion izraelit javën e kaluar, duke treguar jetën në vijën e frontit të rajonit Donbas të Ukrainës lindore.

Por një ditë para se të transmetohej, krijuesit e filmit morën një telefonatë të dhimbshme.

Një burim në Ukrainë transmetoi lajmin se Markarov ishte vrarë nga zjarri i artilerisë ruse.

“Ai u vra një ditë para transmetimit”, ka bërë të ditur Itai Anghel, një korrespondent me përvojë lufte me UVDA, programi kryesor televiziv i çështjeve aktuale të Izraelit, gjatë një bisede emocionale me Business Insider.

“Është e vështirë sepse nuk ke kohë për të qarë,” vazhdoi Anghel, duke shtuar se ekipit iu desh të linte përkohësisht emocionet mënjanë për të punuar shpejt në montimin e një versioni të ri të dokumentarit për ditën tjetër.

“Kjo jetë mund të përfundojë në çdo moment”

Markarov, i cili dikur punonte si teknik i zërit për grupet rock, nuk ishte i ndryshëm nga shumë nga të rinjtë ukrainas që nxituan për të mbrojtur vendin e tyre pasi Rusia filloi agresionin në fillim të vitit të kaluar, duke rrezikuar jetën e tyre në këtë proces.

Lexo po ashtu Po përdorej si ‘mbulesë’ nga ushtarët e Putinit, shihni çfarë i bëri tanku ukrainas një shtëpie të vetme që ‘kishte mbetur në këmbë‘

Rreth 100,000 ukrainas, shumë prej të cilëve nuk kishin marrë kurrë një armë para vitit të kaluar, janë vrarë ose plagosur gjatë luftimeve.

Markarov, i cili mori një çmim ushtarak ukrainas për shërbimin e tij, kishte një grua dhe një vajzë të vogël.

Ai u përshkrua nga Anghel si “me këmbë në tokë”, i lehtë për t’u folur dhe shpesh optimist.

Por Anghel tha se Markarov gjithashtu ishte pajtuar shumë kohë më parë me faktin se ai mund të vdiste në luftime.

Një nga gjërat më prekëse në lidhje me vdekjen e tij ishte një deklaratë që ai u dha krijuesve të filmit.

“Kjo jetë mund të përfundojë në çdo moment, gjithçka mund të përfundojë në çdo moment”, citohet të ketë thënë Markarov në film. “Por, mendoj, ndoshta në atë moment do të di gjithçka për jetën”.

Anghel tha se kjo përgjigje ishte tipike për ushtarin, të cilin ai e njohu mirë pasi u përfshi në njësinë e tij në nëntor të vitit të kaluar.

Xhirimet u zhvilluan kryesisht në llogore pranë Toretsk, i cili në atë kohë ishte në epiqendrën e luftimeve në rajon.

Në të vërtetë, kur gazetari i ofroi t’i dërgonte pamjet nga dokumentari kur u publikua, Marakov ia dha numrin e tij të celularit dhe disa numra shtesë që i përkisnin të afërmve.

“Ai tha: ‘Unë mund të mos jem këtu, njerëzit po vdesin gjithandej dhe gjashtë miqtë e mi më të mirë u vranë. Pra, merrni numrin e telefonit të babait tim, nënës sime ose gruas sime'”, kujton Anghel.

Lexo po ashtu Putini është nën "presion të madh" dhe Ukraina do të fitojë luftën nëse merr të gjitha armët që kërkon, thotë ish-kreu i ushtrisë britanike

Markarov ishte një nga katër anëtarët e Regjimentit të 5-të të Veçantë Sulmues që u vra të mërkurën e kaluar, përcjell Telegrafi.

Kështu Anghel tha se ekipi e riredaktoi dokumentarin në kohë për transmetimin e tij, duke shtuar një seksion ‘në kujtim’ Markarov-it dhe është në procesin e krijimit të një redaktimi posaçërisht për familjen e tij.

“Është një ngushëllim [të dish] se ai do të ketë një trashëgimi”, ka thënë më tej Anghel. /Telegrafi/

Exit mobile version