Site icon Telegrafi

Khabib më në fund tregon pse e sulmoi Dillon Danisin pas triumfit ndaj McGregor, thotë se nuk e ka bërë për shkak të ofendimeve

Khabib Nurmagomedov (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

Khabib Nurmagomedov më në fund e ka thyer heshtjen lidhur me incidentet pas fitores ndaj Conor McGregorit në ‘UFC 229’.

Ylli UFC-së u përfshi në konfrontime fizike, pasi e mbrojti titullin në kategorinë e peshave të lehta me fitoren e arritur kundër irlandezit në raundin e katërt.

Khabib Nurmagomedov fitoi ndaj Conor McGregorit (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

Disa çaste pasi e detyroi McGregorin të dorëzohej, Nurmagomedov doli nga kafazi dhe e sulmoi kolegun e Conorit, Dillon Danis.

Ky veprim shkaktoi përleshje të mëtutjeshme brenda dhe jashtë ‘Tetëkëndëshit’, ndërsa edhe McGregor u sulmua nga Zubaira Tukhugov dhe Asadullah Emiragaev – pjesëtarë të ekipit të Khabib.

Lexo po ashtu Lajmet për KHABIB

Me muaj të tërë është menduar se arsyeja pse ylli nga Dagestani e sulmoi Danisin ishte për faktin se ky i fundit e kishte ofenduar në disa raste 30-vjeçarin para dhe gjatë duelit.

Mirëpo, Khabib i ka hedhur poshtë këto pohime gjatë një interviste për Submission Radio duke thënë se e ka sulmuar Dillonin, sepse nuk ka dashur t’i godiste trajnerët “e moshuar” të McGregorit.

“Jo, nuk e kam dëgjuar (çfarë ka folur për mua). E sulmova atë, sepse pjesa tjetër e ekipit të tij janë shumë të moshuar”.

“Për faktin se këndi tjetër i Conorit, trajnerët janë shumë të moshuar. Prandaj iu hodha atij. Pasi ai është thuajse sa unë në moshë. Po ta sulmoja (John) Kavanagh, nuk mendoj se – Kavanagh mund të rrihet me mua. Prandaj e sulmova atë (Danisin)”.

Khabib Nurmagomedov dhe Conor McGregor (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

“Kur kam qenë duke u ndeshur, nuk e kam dëgjuar – kishte shumë zhurmë. Mirëpo, nuk më ka pëlqyer i gjithë ekipi i tij. Kisha një zgjedhje çfarë të bëjë, por të gjithë trajnerët tjerë ishin shumë të moshuar për mua”.

“Ata nuk mund të përballen me mua, apo? Ata janë thuajse në moshën e babait tim. Prandaj iu hodha atij”, ka përsëritur disa herë Nurmagomedov.

Të dy aplikuesit e arteve të përziera marciale do të dënohen nga Komiteti Atletik i Shtetit të Nevadës (NSAC), ndërsa pezullimi i Khabib pritet të jetë më i gjatë, deri në një vit. /Telegrafi/

Exit mobile version