Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone ka komentuar vendimet e gjyqtarit gjatë fitores 5-2 të Real Madridit ndaj Celta Vigos në Kupën e Mbretit.
Ndeshja shkaktoi polemika pasi portieri i Real Madridit, Andriy Lunin bëri një faull që kaloi pa u vënë re dhe nuk u shqyrtua nga VAR para se Los Blancos të shënonin golin e parë me Kylian Mbappe.
Përveç kësaj pati edhe raste tjera të kontestuara duke bërë temë dite ndeshjen e të enjtes mbrëma.
I fundit që ka folur rreth këtyre polemikave është trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone.
“Nuk e pashë ndeshjen dje, por dëgjova për ato incidente. Situata të tilla po ndodhin prej vitesh. Nuk jam i sigurt pse njerëzit janë ende të befasuar”.
“Klubet kanë konkurruar kundër tyre për dekada dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë. Sigurisht, është e mundur të konkurrosh me ta”, ka thënë Simeone. /Telegrafi/