Telegrafi

Kështu u festua fitorja e Erdoganit në vendin që është “shtëpia e diasporës më të madhe turke” në botë

Në Gjermani, e cila është “shtëpia e diasporës më të madhe turke” në botë, qindra turq dolën në rrugë për të festuar fitoren në zgjedhje të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në kryeqytetin Berlin, mbështetësit e “AK Partisë” festuan mbrëmjen e së dielës në lagjet e populluara nga turqit, si Kruezberg, duke kënduar këngë dhe duke valëvitur flamuj e pankarta.

Në Kurfurstendamm, një nga rrugët më të famshme të Berlinit, mbështetësit e Erdoganit u bënë të zhurmshëm gjithashtu në një kolonë të madhe makinash, duke brohoritur parulla dhe duke i rënë borive të makinave të tyre.

Lexo po ashtu Rreth 99 për qind të votave të numëruara – këto janë rezultatet dhe të rejat e fundit nga balotazhi për president të Turqisë

Festimet u zhvilluan edhe në qytete të tjera, duke përfshirë Këln dhe Frankfurt.

Lexo po ashtu 'Bye, bye, bye, Kemal' - Erdogan shpall fitoren në zgjedhjet presidenciale në Turqi

Ato erdhën pasi rizgjedhja e Erdoganit u konfirmua nga kryetari i Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë (YSK) të dielën në mbrëmje.

Sipas rezultateve jozyrtare, me 99.43% të votave të numëruara, Erdogan fitoi votat e balotazhit me 52.14%, ndërsa kundërshtari i opozitës Kemal Kilicdaroglu mori 47.86%, u tha gazetarëve në kryeqytetin Ankara kreu i YSK, Ahmet Yener.

Lexo po ashtu Deklaratat e Kemal Kiliçdaroglu, pas raportimit se Erdogan është fitues në zgjedhjet për president të Turqisë

Më 14 maj, asnjë kandidat nuk fitoi 50% të kërkuar në raundin e parë, duke shkaktuar kështu një balotazh presidencial, megjithëse presidenti aktual Erdogan mori kryesimin me 49.52%.

Më shumë se 64.1 milionë qytetarë turq u regjistruan për të votuar, duke përfshirë mbi 1.92 milion njerëz që më parë hodhën votën e tyre në qendrat e votimit jashtë shtetit. /Telegrafi/