Prokuroria e Posaçme, SPAK kërkon “arrest me burg” ose “arrest shtëpie” për ish-kryeministrin Sali Berisha, nën akuzë për “korrupsion pasiv” për dosjen e privatizimit të ish-Kompleksit Partizani.
Ditën e sotme SPAK i ka dërguar një kërkesë Kuvendit për ndryshimin e masës së sigurisë nga “detyrim paraqitje” në “arrest shtëpie” ose “arrest në burg”.
“E nderuar znj. Kryetare e Kuvendit! Të nderuar Deputetë të Kuvendit ! Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 231, 260, 288, 289 të K.Pr.Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali BERISHA, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal shtrëngues nga ajo e “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr. Penale, në atë të arrestit në burg/ arrest në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr. 287 të vitit 2020, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë. Gjithashtu në respektim të nenit 288 pika 2, të K.Pr.Penale, bashkalidhur gjeni relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse. Duke ju falenderuar për bashkëpunimin”, shkruhet në dokument.
Nga ana tjetër, Berishës i ndalohet edhe dalja nga vendi. Mirëpo, pavarësisht kësaj mase, “Detyrim paraqitje” ish-kryeministri ka refuzuar që të paraqitet në gjykatë. Kjo sepse ai i ka hedhur poshtë akuzat si të pabaza, duke i cilësuar si sulme politike të kryeministrit Edi Rama.
Sipas SPAK, Berisha ka kryer veprime konkrete, si kryeministër, me miratime ligjesh dhe aktesh nënligjore, nga të cilat përfitoi dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi përmes privatizimit të pronës shtetërore- kompleksi sportiv Partizani. /Telegrafi/