Telegrafi

Kërkesa për shtyrje të afatit për targa, Lajçak pas takimit me Bislimin: Urgjentisht duhet gjetur një zgjidhje

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se është nevojë urgjente gjetja e një zgjidhje për situatën aktuale në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, Lajçak ka shkruar se “çdo përshkallëzim apo dhunë është e papranueshme”.

“Me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi sot diskutuam për krizën aktuale në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në veçanti çështjen e targave. Ne kemi nevojë urgjente për të gjetur një zgjidhje për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në terren. Çdo përshkallëzim apo dhunë është e papranueshme”, ka shkruar Lajçak.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe në masë të madhe kontrollohet nga Beogradi zyrtar.

Qeveria e Kosovës do që këto makina të riregjistrohen me targa të Republikës së Kosovës, RKS, por Serbia kundërshton, duke këmbëngur në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e rritjes së tensioneve, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Kujtojmë se pavarësisht kërkesave të shumta për shtyrje të vendimit për targa, Qeveria e Kosovës, ka nisur zbatimin e tij më 1 nëntor.

Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të shpërndahen targa provuese.

Me këtë plan, pritet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa RKS. /Telegrafi/