Site icon Telegrafi

Kelmendi reagon dhe rekomandon ndaj rritjes së tatimeve

Edhe pse është një ndër deputetët e koalicionit qeverisës, biznesmeni Ramiz Kelmendi ka vazhduar me rekomandimet e tij për Qeverinë Mustafa. Ai, fokusin e rekomandimeve e bazon në planin e tij për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe gjenerim të vendeve të punës. Rekomandimet e tij janë si më poshtë:

“Mbushja e buxhetit me rritje tatimesh apo me rritje investimesh dhe punësimesh

Sa herë që të hyrat e buxhetit mungojnë, atëherë mekanizmi i parë i Qeverisë është rritja e tatimeve në kategori të bizneseve dhe artikujve të caktuar. Kjo metodë e rritjes së tatimeve nuk është metoda e duhur në këto momente, sepse hapi i parë i Qeverisë duhet të jetë krijimi i ambientit për thithjen e investitorëve të jashtëm dhe motivimi i tyre për të investuar.

Cilat duhet të jenë veprimet e Qeverisë në vend për rritje të tatimit ?

– Krijimi i ambientit dhe motivimi i investitorëve të brendshëm ekzistues funksional dhe të atyre që dëshirojnë të bëhen afaristë;

– Krijimi i legjislacionit edhe më fleksibil në funksion të rritjes së investimeve, zhvillimit të prodhimtarisë dhe krijimit të vendeve të punës;

– Bashkëbisedimi i ngjeshur dhe i afërt me të gjitha bizneset për t’i parë shqetësimet që po pengojnë zhvillimin e tyre.

– Krijimi i ambientit legjislativ funksional dhe efikas për zgjedhjen e kontesteve ekonomike, kontesteve me doganat e Kosovës dhe administratën e Kosovës, si dhe kontesteve kredimarrëse dhe institucioneve financiare.

– Heqja e direktivave të ngritjes së çmimeve të produkteve të importuara, e në veçanti të repromaterialeve, dhe ngritja e transporteve në mënyrë administrative (për këtë të vlejnë ligjet në fuqi që korrespondojnë me ekonominë e tregut).

Këto janë obligimet qeveritare që drejtpërdrejt dhe në mënyrë të fuqishme avancojnë të hyrat për buxhetin e Kosovës dhe çdo rrugë tjetër, siç po ndërmerret e shton informalitetin edhe ashtu te rritur.

Ne kemi ngritur dy herë radhazi akcizën në duhan dhe, në këtë produkt, kemi nga shtatori edhe rritjen e TVSH-së me qëllim të mbushjes së buxhetit dhe ruajtjes së shëndetit. Por, nga praktikat e deritashme – si në Kosovë ashtu në shtetet përreth – kemi mësuar se me rritje të tatimeve rritet informaliteti, me çka në vend se të përfitojë buxheti, përfiton xhepi i atyre që janë informalë – apo xhepi i ekonomisë së ‘shfercit’.

Njëkohësisht, edhe rritja e akcizës në lojërat e fatit (aparate), është një hap i cili do të rris në masë të madhe informalitetin, por në mënyrë të drejtpërdrejt do të ndikojë edhe në ngritjen e çmimeve te shërbimeve dhe shpenzimeve, dhe pikërisht tek kategoria e të varfërve, meqë kjo kategori më së shumti frekuenton këto lojëra fati në kërkim të pasurimit me fat.

Të dyja këto kategori të sipërpërmendura, si duhanpirësit ashtu edhe lojtarët e lojërave të fatit, dëmin më të lartë i sjellin familjeve të tyre. Andaj, është e udhës që të bashkëbisedohet me akterët ekzistues ekonomikë të të gjitha profileve që punësojnë popullatën, se çka duhet të bëjë shteti me politikat e veta, në mënyrë që këta afaristë të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e punësimit.

Secila formë e mendimit se këta janë profiterë, janë informalizues, janë edhe shmangës të tatimeve, nuk duhet të jetë pengesë e bashkëbisedimeve, meqë për të gjithë ata të cilët bien ndesh me ligjin, ligji duhet t’i trajtojë – e jo politika t’i paragjykojë.

E kemi të njohur faktin se Qeveria nuk punëson qytetarët e vet, por këtë punësim dhe zhvillim ekonomik e bën sektori privat, andaj pse të mos bashkëbisedohet me këtë sektor. E, si të bashkëbisedohet?

Udhëheqësit duhet hipur edhe në autobus, por jo sa për të udhëtuar për reklamë, por për të parë se çka duhet të ndërmerret meqë këta qytetarë përdorin këtë transport që të shkojnë në punë të freskët dhe të arrijnë në punë me kohë. Duhet të vizitohen të gjitha industritë dhe të preket avancimi teknologjik e të shihen kushtet e punës dhe mënyra e punës, në mënyrë që edhe kërkesat e bizneseve që gjenerojnë vende pune, të kuptohen për t’u mbështetur me politika fiskale.

Duhet të vizitohen edhe fermerët, jo sa për të dalë në TV për sy dhe faqe, por të vlerësohet si mundësi që legjislacioni apo edhe subvencionimi e grantet të jenë në funksion të zhvillimit të bizneseve agrare profesionale e jo që këto grante të ndahen për zgjedhjen e çështjeve sociale.

Edhe vizitat nëpër institucionet bankare duhet të zhvillohen dhe të bashkëbisedohet me ta për të pasur ofertë kredish investive dhe kredi komerciale, si për sektorin e bujqësisë ashtu edhe për sektorin prodhues.

Cilat janë kërkesat e tyre që këto kredi mos të jenë kredi të këqija? Çka duhet të përshtatet tek legjislacioni në funksion të financimit ?

E kemi të njohur se legjislacioni është dhe duhet të jetë në funksion të kërkesave të tregut prodhues dhe ekonomik, e jo vetëm të kuptohet si legjislacion ndëshkues, sepse të gjitha ligjet vihen (sillen) për të funksionalizuar shtetin si politik, ekonomik dhe juridik. Andaj, edhe legjislacioni si i tillë mund të formulohet me plotësime të përkohshme dhe pastaj të avancohet sipas kohës dhe nevojave që paraqiten nga tregu i investimit dhe zhvillimit.

Duke pasur parasysh se kërkesa për buxhet të shtuar do të ketë gjithnjë, konstatojmë se të gjithë këta shembuj të faktuar më lartë, janë mekanizma më të mirë për mbushjen e buxhetit të Kosovës dhe janë më të lehtë e më të qëndrueshëm se rasti i rritjes së tatimeve në kategori të caktuara siç po ndodhë”, thotë Kelmendi. /Telegrafi/

Exit mobile version