Site icon Telegrafi

KE shpalos paketë investimesh prej 3.2 miliardë euro për të mbështetur 21 projekte në Ballkanin Perëndimor

Komisioni Evropian ka bërë publike sot një paketë të konsiderueshme investimesh prej 3.2 miliardë euro për të mbështetur 21 projekte në Ballkanin Perëndimor.

Investimet parashikohen në sektorët e transportit, digjitalizimit, klimës dhe ndërlidhjes së energjisë në rajon.

Sipas një njoftimi për shtyp të Ambasadës së Bashkimit Evropian në Tiranë, investimet konsiderohen si paketa e parë e madhe e projekteve në kuadër të planit ambicioz ekonomik të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, e miratuar nga Komisioni në tetor 2020.

Projektet janë krijuar për të sjellë përfitime të prekshme për të gjashtë vender e rajonit.

“Me këtë paketë të madhe investimesh ne po përshpejtojmë zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor në terren”, ka thënë Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Lexo po ashtu Nikolla: Kroacia, mbështetje e vazhdueshme për integrimin evropian të Shqipërisë

“Ne i kemi identifikuar këto projekte të mëdha në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë. Ndërlidhjet më të mira dhe më të qëndrueshme në transport, në infrastrukturën digjitale dhe në energjinë e rinovueshme do të nxisin ekonominë, do të çojnë përpara tranzicionin e gjelbër dhe digjital të rajonit, si dhe do të sjellin një numër mundësish për njerëzit dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë BE-në. Këto investime do të përshpejtojnë gjithashtu integrimin e rajonit, në përputhje me perspektivën e tij të qartë evropiane”, ka shtuar Varhelyi.

Gjatë viteve të ardhshme, paketa parashikon të mobilizojë deri në 30 miliardë euro investime, si një kombinim i granteve, kredive preferenciale dhe garancive.

Sipas njoftimit të ambasadës, plani do të ndihmojë në mbylljen e hendekut të zhvillimit mes BE-së dhe rajonit, si dhe do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë. Plani do të ndihmojë gjithashtu për zbatimin e strategjisë më të gjerë të BE-së “Global Gateway”, që nisi në dhjetor 2021.

Lexo po ashtu Korrupsioni dhe rrjedhja e të dhënave, shqetësimet kryesore të KE-së për Shqipërinë

Paketa e sotme financiare përfshin 1.1 miliardë euro grante të BE-së nga Instrumenti i Asistencës së Para-Anëtarësimit 2021-2027 (IPA III), kontribute shtesë dypalëshe nga shtetet anëtare të BE-së dhe Norvegjia, si dhe kredi të favorshme nga institucionet financiare ndërkombëtare.

“Paketa e investimeve prej 3.2 miliardë euro kanalizohet përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) – një platformë investimi me shumë donatorë e udhëhequr nga BE-ja dhe mekanizmi kryesor financiar për zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve në fushat e infrastrukturës publike dhe konkurrencës së sektorit privat”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version