Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, kanë debatuar në seancën e sotme të Kuvendit për situatën me energjinë në vend.
Haradinaj tha se Kosova ndodhet në një krizë energjetike dhe sipas tij, nuk mund të ketë përmirësim të situatës pasi Qeveria Kurti ka hequr dorë nga gazsjellësi amerikan dhe ndërtimi i kapaciteteve energjetike në thëngjill.
“Jemi në krizë energjetike. Edhe pse ajo nuk vërehet në këta muaj të verës. Situata është e rënduar së pari nga heqja dorë nga ndërtimi i kapaciteteve energjetike në thëngjill. Së dyti, nuk premtohet përmirësim i situatës për shkak të heqjes dorë nga gazsjellësit amerikan. Agresioni rus në Ukrainë do ta rëndojë edhe më tej situatën me energjinë në Ballkan”, u shpreh i pari i AAK-së para deputetëve, raporton Telegrafi.
Ai tutje pyeti kryeministrin se a kanë ndonjë strategji veprimi për përballimin e një krize energjetike të mundshme.
“Ndaj, kam disa pyetje për kryeministrin Albin Kurti. Cila është situata elektro-energjetike në vend? Në çfarë gjendje janë kapacitetet prodhuese energjetike? A keni një strategji veprimi për përballimin e një krizë energjetike të mundshme? Cili është rreziku që Kosova edhe të arrijë në kolaps energjik, a keni shqyrtuar mundësinë për të bashkëpunuar me Shqipërinë në mënyrë që të plotësojmë nevojat e njëri-tjetrit”, pyeti Haradinaj.
Ndërsa, në përgjigjen e tij Kurti deklaroi se Kosova do të vazhdojë të implementojë strategjinë kombëtare e cila siç tha, është në përfundim e sipër dhe parasheh stabilitet përmes diversifikimit.
“Së pari, Gjermania dhe shtetet tjera evropiane i kanë rihapur kapacitetet gjeneruese të energjisë në thëngjill e jo duke ndërtuar të reja. Rihapja po ndodh për shkak të mungesës së gazit në treg. Kosova nuk është e varur dhe s’do të jetë e varur në prodhimin e energjisë eklektike. Kosova do të vazhdojë të implementojë strategjinë kombëtare e cila është në përfundim e sipër që parasheh stabilitet përmes diversifikimit”.
“Para se të vijmë në përfundime për gjendjen energjetike në Evropë, mos i lexoni vetëm titujt e lajmeve, por ju lutem që lexoni ato deri në fund”, u shpreh kryeministri.
Ndërsa, sa i përket gazsjellësit amerikan tha se edhe sikur ky Project të ishte në proces të realizimit, nuk do të ishte në funksion gjatë krizës energjetike.
Pas përgjigjes së Kurtit, fjalën e mori sërish Haradinaj, i cili e pyeti kryeministrin se “A i ke rënë pishman që e ke penguar investimin në Kosovën e Re?”.
“Kryeministër, e pash që ishit të kujdesshëm me na shpjegua gjendjen në Gjermani. Ta bëj një pyetje të sinqertë; A i ke rënë pishman që e ke penguar investimin në Kosovën e Re rreth 500 megavat. A e kishit pranua sot atë investim ti e Haki Abazi e krejt që jeni këtu? Çka kishit thënë sot për atë investim? Po shihet që e keni mizën në kapuç e po i bini rrotull kësaj pune”.
E lidhur me këtë u përgjigj Kurti duke thënë se mban edhe sot të njëjtin qëndrim.
“Ka qenë një kontratë e pafavorshme për Kosovën”, u shpreh kreu i ekzekutivit. /Telegrafi/