Mediat në Britani kanë raportuar se janë katër skuadra që mund ta paguajnë gjatë verës klauzolën e largimit të Lionel Messit, e cila vlen 700 milionë euro.
E ardhmja e Messit në Camp Nou ishte në dyshim gjatë vitit të kaluar, pasi ylli argjentinas dhe Barcelona nuk po arrinin marrëveshje për vazhdimin e kontratës.
Megjithatë, kah fundi i vitit palët arritën marrëveshje për rinovimin e kontratës deri në vitin 2021, aty ku u vendos edhe një klauzolë largimi.
Klauzola e largimit të Messit u vendos në shifrën e 700 milionë eurove për të larguar skuadrat e interesuara për të.
Por, mediat raportojnë se edhe përkundër dëshirës së dy palëve që Messi të pensionohet në Camp Nou, janë disa skuadra që mund ta paguajnë klauzolën e tij.
Sipas mediumit Sky Sports, janë katër skuadra që mund ta paguajnë klauzolën e largimit të pesë herë fituesit të Topit të Artë.
Sky Sports raporton se tri skuadrat e para vijnë nga Liga Premier dhe janë të njohur për shpenzime të mëdha: Manchester United, Manchester City dhe Chelsea.
Këta tre gjigantë anglezë pritet të kenë konkurrencë të fortë edhe nga skuadra e katërt e cila është ajo e sheikëve, Paris Saint-Germain. /Telegrafi/