Telegrafi

Katër ndryshime nga Edy Reja, kështu mund të luajë Shqipëria ndaj Moldavisë

Pas humbjes 1-0 në Islandë, kombëtarja shqiptare rikthehet sot në ndeshjen e radhës teksa do presë Moldavinë në orën 20:45 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Lidhur me këtë ndeshje, sipas “Panorama Sport”, trajneri Edy Reja do bëjë katër ndryshime në formacion, por skema mbetet e njëjtë: 3-5-2.

Stërvitja e fundit ka qenë më tepër taktike dhe me një ndarje që la të kuptohej se gati gjysma e formacionit që ishte në sfidën e kaluar ndaj Islandës do të ulet në stol. Dilema e madhe është vetëm në mbrojtje, aty ku Dermaku është në balotazh me Mavrajn për një vend në qendër.

Reja duke dhënë instruksione së bashku me ndihmësin e tij Ervin Bulku (Foto: FSHF/Twitter)

Edhe pse kapiteni nuk ishte në krahë të trajnerit në konferencën e djeshme për shtyp, ajo që habiti ishte se u provua titullar në testin që Reja bëri me formacionin në stërvitjen e fundit. Megjithatë, duket qartë se ai nuk është i bindur për formën që po kalon Mavraj, prandaj dhe mund t’i besojë sërish Dermakut.

Lexo po ashtu Reja: Tani kemi një skuadër të vërtetë, në Elbasan me disa ndryshime, kapiten Mavraj dhe Hysaj

Sa u përket pozicioneve të tjera, lojtarët që rikonfirmohen titullarë nga ndeshja e fundit në Islandë janë Berisha, Ismajli, Veseli, Hysaj, Xhaka dhe Abrashi. Sipas të gjitha gjasave, në stol do të ulen Basha, Lenjani, Cikalleshi dhe Balaj. Në vend të Bashës do të luajë Kaçe në mesfushë, ndërsa pozicionin e Lenjanit do ta marrë Aliji në krahun e majtë.

Risi do të jetë dyshja e sulmit, teksa këtë herë do të provohen nga fillimi Uzuni dhe Sadiku. Ky i fundit luajti disa minuta në Islandë, ndërsa beratasi nuk u provua fare. Këto pritet të jenë ndryshimet, me Rejan që beson se do të sjellin efikasitet.