Site icon Telegrafi

Kastrati me akuza të rënda ndaj zyrtarëve qeveritarë: Kurti ‘rrenci’ më i madh e Bislimi ‘hajn’

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, ka hedhur kritika dhe akuza të rënda ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendësit të tij, Besnik Bislimi.

Ai duke komentuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kësaj periudhe ka thënë se kjo parti ka dështuar brenda, në aspektin politik e mos të flasim në atë të jashtëm.

Madje për kreun e ekzekutivit Kastrati ka thënë se është “rrenci më i madh që ka përjetuar skena politike kosovare”.

“Është madje njeri i kobshëm, sepse ka shkelë mbi gjakun e njerëzve për me i realizu objektivat e veta politike. Për Kosovën është tregu shumë i rrezikshëm”, ka thënë Kastrati në emisionin “Përballje” në Telegrafi.

Ndërsa, Bislimin ai e ka akuzuar për hajni.

“Besnik Bislimi është ‘hajn’. Ai vitin e kaluar i ka pasur 3 mijë e 700 euro mëditje me shku në Bruksel dhe me i udhëheq bisedimet me Serbinë. Por, rezultati i tij dhe i ekipit të Albin Kurtit është autonomi me nenin shtatë”, ka thënë Kastrati, duke shtuar se i njëjti është pasuruar shumë tash e tri vjet prej kur është në pushtet.

Deputeti i PDK-së më tej ka kritikuar Qeverinë për zbehje të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës e mungesë të investimeve.

Ardian Kastrati gjatë intervistës në emisionin “Përballje” // Foto: Ridvan Slivova

“Është zbehur dhe ka rënë për toke subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Pra, politikat e jashtme janë inekzistente. Është degraduar në çdo segment të politikave të jashtme, kurse nga brenda është gërryer sovraniteti”, është shprehur ai.

“Kur them kështu nuk mendoj vetëm për veriun për shkak të autonomisë të cilën e solli Albin Kurti duke dalë nga rendi kushtetues i Kosovës, por edhe për shkak se ekonomia është degraduar pa investime kapitale, pa investime të huaja, me portrete dhe profile ministrash mediokër që nuk e dinë se çka kanë me bë me këtë buxhet. Janë ankues kronikë dhe nuk kanë asnjë rezultat”.

Sipas Kastratit, i vetmi rezultat është që çdo i dyti qytetar dëshiron që të ikë nga vendi.

“Këtë nuk e thotë PDK-ja, por e thonë raportet ndërkombëtare, si ai i Bankës Botërore, i Raportit të Progresit etj. ka dhunim të institucioneve të Republikës së Kosovës. Në fakt, ka goditim. Pra në zhvillimin demokratik të tyre sepse jemi shtet i ri, po sa filloi me pa dritën e vet, do të thotë këta e dhunuan”.

Duke iu referuar zyrtarëve qeveritarë, deputeti opozitar ka thënë se ata flasin sikur Kosovën të tjerët e kanë marrë si Zvicër dhe e kanë dorëzuar si Somali.  Por sipas tij, është e kundërta.

“Është marrë në situata të ngjashme me Somalinë kur s’ka pasë as infrastrukturë bazike, as kanalizim, as ujësjellës nëpër fshatra, as ndriçim, as rrugë, autostrada, as ambulanta, as shkolla, as sistem bankar. Të gjitha këto ka ndodhë në atë periudhë. Tash a ka mujt ma mirë a ka mujt ma keq? Kjo matet me metoda empirike”.

“Edhe sikur të pajtohemi me Lëvizjen Vetëvendosje se çdo gjë ka qenë zi. Pse nuk po ndryshon gjendja? Si nuk mundesh një element më të voglin me ndryshu në QKUK? Si mundesh me Ligjin e Pagave me i zbrit rrogat në sektorit publik? Si mundesh me thënë që paska qenë zi arsimi, kurse tani jemi akoma më poshtë? Në testin PISA kemi dalë të fundit. Si ka mundësi që tani raporti i Bankës Botërore thotë se 60 për qind e familjeve kosovare jetojnë në varfëri? Po flasim për një qeverisje e cila po i bën katër vjet”, ka theksuar ai.

Kastrati në këtë intervistë ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe. /Telegrafi/

 

Exit mobile version