Telegrafi Maqedoni ka biseduar me kardiologun Valon Asani në lidhje me repartin e kardiologjisë në Tetovë, për shëndetin e njerëzve të Pollogut dhe gjithashtu është përgjigjur për lakimin e emrit të tij në media për kandidimin e tij si kandidat për Komunën e Tetovës.
“Që gjashtë viteve nuk jemi ndaluar me inovacione për të bërë më të mirën e qytetarëve të rajonit të Pollogut. Si e re në punën tonë është trajtimi i sulmit në tru” ka thënë mes tjerash Asani.
Në përgjithësi kardiologu Asani ka thënë se qytetarët e rajonit të Pollogut kanë vizituar shpesh repartin e kardiologjisë gjatë vitit 2019 dhe 2020. Në vitin 2019 janë bërë 1390 intervenime, gjë që ka ndodhur edhe në vitin e kaluar, pra në vitin 2020. Asani thotë se në pjesën dërmuese të intervenimeve ka qenë ai vetë pjesmarrës.
Tek pjesa e këshillave për qytetarët që të kenë kujdes për zemrën Asani thotë se duhet të merren masa higjieno-dietetike dhe masa të kontrollit rutinor, prej 6 muajsh deri 1 vit, për të parandaluar intervenimet e mjekëve kardiolog.
“Pirja e duhanit, mos aktiviteti fizik, ngrënia e ushqimit jo të shëndetshëm, përdorimi i preparateve hormonale” janë disa nga predispozitat negative që i përmend kardiologu Asani, si shkaktarë të sëmundjeve të zemrës, njofton Telegrafi Maqedoni.
Asani thotë se është i fokusuar në profesion dhe kjo ka dhënë frytet e saja deri tani, duke e renditur qendrën kardiologjike në Tetovë në top 10 qendrat më të mira në botë. Kjo qendër sipas tij ka leje nga SHBA-të për hulumtime shkencore në këtë fushë.
Asani ka komentuar edhe zërat e fundit ku është përmendur si kandidat për zgjedhjet lokale në Komunën e Tetovës por edhe informacionet më të hershme që është përmendur si kandidat për deputet, për ministër por edhe në pozita tjera. Ai këto zëra i ka hedhur poshtë duke insistuar që të mbetet në profesion pasi vendit i duhen mjekë të mirë. /Telegrafi/
Ndiqeni intervistën e plotë.