Telegrafi

Kaq vota fituan kandidatët për kryeministër, Kurti, Hoti dhe Hoxhaj

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit tre kandidatët për kryeministër të Kosovës, Avdullah Hoti, Albin Kurti e Enver Hoxhaj kanë një diferencë të madhe në vota.

Sipas listës së publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Enver Hoxhaj ka marrë 100 mijë e 518 vota, teksa Avdullah Hoti ka marrë 69 mijë 640 vota.

Kurse, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, me vendim të Gjykatës nuk u lejua t’i printe listës së kandidatëve për deputet të partisë së tij, por megjithatë nga kjo parti ishte bërë thirrje të votohet Kurti.

Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka në një deklaratë për Telegrafin tha se Kurti ka qenë bartës i listës dhe se të gjitha votat e LVV-së i ka marr edhe ai, pra 438 mijë e 334 vota.

“Albini ka qenë bartës i listës dhe kandidati ynë për kryeministër, të gjitha votat që kanë marrë VV-ja i ka marrë edhe Albin Kurti”, tha Manxhuka. /Telegrafi/