Telegrafi

Kadetja e FSK-së shpërblehet me Bexhin e Komandantit të Akademisë Mbretërore Ushtarake Sandhurst

Një tjetër arritje e jashtëzakonshme e pjesëtarëve të FSK-së. Kadetja e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Endrita Brahimi, është shpërblyer me Bexhin e Komandantit të Akademisë Mbretërore Ushtarake Sandhurst.

Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Londër, Ilir Kapiti, përmes një postimi në Facebook, duke e quajtur një arritje të veçantë të oficerëve të FSK-së në aktivitetet ndërkombëtare.

“Oficer Kadet Endrita Brahimi nga Republika e Kosovës shpërblehet me Bexhin e Komandantit të Akademisë Mbretërore Ushtarake Sandhurst. Ky shpërblim jepet për përpjekje të veçantë dhe kontribut të jashtëzakonshëm gjatë shkollimit për oficerë. Edhe një arritje e veçantë e oficerëve të FSK-së në aktivitetet ndërkombëtare”, ka shkruar ambasadori Kapiti, transmeton Telegrafi.

“Falënderim i veçantë për Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin profesional të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Urime Oficer Kadet Endrita Brahimi!”, ka shkruar Kapiti.

Ushtarja nga Regjimenti i dytë i FSK-së, Endrita Brahimi një vit më parë ka siguruar një vend në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst (RMAS) në Britani të Madhe./Telegrafi/