Site icon Telegrafi

Juventusi planifikon “hakmarrje” ndaj Milanit, pranë Thiago Silvës

Juventusi ka arkëtuar milionat nga Milani për Leonardo Bonuccin dhe është vënë menjëherë në lëvizje për të gjetur një zëvendësues të tijin.

Edhe pse në shtëpi ata kanë tre qendërmbrojtës të rëndësishëm si Andrea Barzagli, Mehdi Benatia dhe Daniele Rugani, nevojitet edhe një tjetër përforcim duke parë sezonin e gjatë, por pa harruar se dëmtimet janë gjithmonë prapa derës dhe natyrisht që mosha e madhe e Barzaglit nuk jep garanci për një rendiment të lartë.

Prandaj, krerët torinezë kanë bërë një listë në të cilën ideja e madhe, ndoshta edhe si kundërpërgjigje ndaj Milanit, është Thiago Silva. Ish-milanisti nuk është më shumë i lumtur në Paris dhe ndoshta mund të bëjë një rikthim të bujshëm në Itali. Vlera e kartonit të tij nuk është më e lartë se 10-12 milionë euro, duke parë edhe 33 vitet mbi shpatulla (i feston në shtator), por problem mbetet paga e tij, 10 milionë euro në sezon.

Gjithsesi, në një afat kalimtar kaq të çmendur gjithçka mund të ndodhë, prandaj surprizat janë të paralajmëruara. Pista e dytë është ajo e mbrojtësit të Romës. Kostas Manolas është jo vetëm i ri, por ka treguar edhe një rendiment të lartë. Për grekun që kërkon të ndërrojë ambient nevojiten të paktën 30 milionë euro, një investim ky edhe për të ardhmen e grupit të trajnerit Alegri.

Drejtori Marota ka kontakte të vazhdueshme edhe me Lazion, për Stefan De Vraj, 25-vjeçarin holandez, i cili duket i joshur nga mundësia për të veshur bluzën e Juves, por bisedimet me Igli Taren nuk do të jenë një shëtitje. /Telegrafi/

Exit mobile version