Telegrafi

Juventusi ndëshkon tre lojtarët që organizuan ‘party’, mungojnë në derbi ndaj Torinos

(Foto: Instagram/west.mckennie)

Paulo Dybala, Weston McKennie dhe Arthur Melo do të pezullohen nga Juventusi dhe do të humbasin derbin e nesërm (e shtunë) kundër Torinos.

McKennie organizoi një mbrëmje private të mërkurën në mbrëmje, duke ftuar dhjetë persona, përfshirë dy shokët e tij të skuadrës.

Organizimi i ndejave private në Itali bien ndesh me ligjin pasi është i ndaluar sipas rregullave aktuale COVID.

Fqinjët thirrën Policinë kur vunë re se një festë po ndodhte brenda shtëpisë së McKennie.

Lexo po ashtu Juventusi do t’i dënojë tre lojtarë për pjesëmarrje në një ndejë ‘të ndaluar’

Italia ka një shtetrrethim mbarëkombëtar, nga ora 20:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Oficerët e Policisë arritën në shtëpinë e McKennie rreth orës 11:30 të mbrëmjes.

Sipas Il Corriere dello Sport dhe Il Corriere della Sera, treshja do të gjobitet dhe pezullohet për ndeshjen e ardhshme kundër Torinos.

Arthur do të kishte humbur ndeshjen gjithsesi për shkak të një dëmtimi.

Sidoqoftë, McKennie do të kishte zëvendësuar ish-yllin e Barçës, ndërsa Dybala do të kthehej në skuadër pas një dëmtimi.

Sipas Football Italia, pezullimi mund të jetë më i gjatë pasi Juventus do të presë Napolin të mërkurën nga ndeshja e mbetur nga java e katër, por një vendim në lidhje me atë lojë ende nuk është marrë. /Telegrafi/