Mesfushori gjerman Emre Can ka vendosur të largohet nga Liverpooli në fund të stinorit.
Kontrata aktuale e Canit me Liverpoolin skadon në qershor dhe gjermani mund të largohet si futbollit i lirë nga ‘Anfield’.
Padyshim që favoriti kryesor për ta marrë si futbollist të lirë lojtarin mbetet kampioni aktual i Italisë, Juventus.
Por sipas medieve italiane ‘Zonja e Vjetër’ ka mbetur e shtangur pasi për lojtarin në garë është futur edhe gjiganti spanjoll Real Madrid.
Kampionët aktual të Evropës kanë mundësi më të mira për t’i ofruar pagë më të lartë Canit dhe kjo po e shqetëson Juventusin.
Real Madrid mund të mbetet pa Toni Kroosin dhe e shohin Canin si zëvendësuesin adekuat të reprezentuesit gjerman.
24-vjeçari është duke zhvilluar stinorin e tij më të mirë në karrierë por ende nuk ka treguar se cilës skuadër do t’i bashkohet.
Gjithsesi trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp po shpreson ende se do ta bind yllin e tij të nënshkruajë kontratë të re për të mbetur edhe më tej në ‘Anfield’.
Në garë për lojtarin janë edhe skuadrat e tjera të mëdha si Manchester City, Bayern Munich, Inter, Borussia Dortmund, Milan dhe Paris Saint Germain. /Telegrafi/