Aaron Ramsey i është bashkuar Juventusit verën e vitit të kaluar si futbollist i lirë.
Mesfushori uellsian kishte përfunduar kontratën me Arsenalin dhe kishte vendosur të transferohet te Juventusi.
Megjithatë aventura në Serie A nuk ka shkuar në mënyrën më të mirë, pasi ai nuk ka arritur të ambientohet me futbollin italian.
Juventusi po mendon largimin e tij, ndërsa synon që ta shkëmbejë me ndonjë klub anglez në këmbim të ndonjë lojtari që kanë në listë.
Lajmet e fundit nga Italia raportojnë se Juventus i ka ofruar Ramseyn katër skuadrave të mëdha angleze, si Arsenal, Chelsea, Manchester United e Tottenham Hotspur.
Në të gjitha skuadrat që është afruar Ramsey, Juventus ka synuar që të marrë ndonjë lojtar nga këto ekipe.
Zonja e Vjetër ka synuar që ta ofrojë Ramseyn plus një shumë të parave për Jorginhon e Chelseat, ndërsa i ka propozuar Arsenalit shkëmbimin kokë me kokë mes uellsianit dhe Hector Bellerin.
29-vjeçari i është ofruar edhe Tottenhamit si shkëmbim me Tanguy Ndombelen, por kjo ofertë është refuzuar nga Spurs.
Opsioni i fundit i Zonjës së Vjetër është që ta transferojë Paul Pogban nga United, ndërsa Ramsey të përdorët për ta ulur çmimin e francezit.
Gjithsesi reprezentuesi i Uellsit do të largohet sigurt nga Serie A, por mbetet të mësohet vetëm skuadra e tij e radhës. /Telegrafi/