Timo Werner nuk duket i gatshëm të rinovojë kontratën e tij me RB Leipzig, kështu që Juventusi dhe Milani po monitorojnë situatën e sulmuesit.
Reprezentuesi gjerman ka shënuar mbi 20 gola në dy sezonet e kaluara, dhe deri më tani në këtë sezon ka 14 gola në 21 paraqitje në të gjitha garat.
Paraqitjet e tij superiore me RB Leipzig kanë bërë që shumë klube evropiane të kthejnë shikimin nga sulmuesi gjerman.
Largimi i mundshëm i Wernerit ka bërë që klubi gjerman t’i ofrojë rinovimin, por ende palët janë larg marrëveshjes.
Sipas mediumit Fox Sports, 22-vjeçari po ngurron të nënshkruajë një kontratë të re me klubin e tij të tanishëm dhe kjo ka vënë disa gjigantë evropian në gatishmëri.
Të dy klubet italiane, Juventusi dhe Milani e kanë ndjekur atë për një kohë të gjatë, por çmimi i tij është i lartë.
Me marrëveshjen e tij aktuale që mbaron në vitin 2020, Leipzig do të kërkonte ende rreth 60-70 milionë euro.
Werner është lidhur edhe me një transferim te Liverpooli, Bayern Munichu, por edhe te dy skuadrat e mëdha spanjolle, Barcelona dhe Real Madridi. /Telegrafi/