Site icon Telegrafi

Juve ‘Zonjë’ në shtëpi, deklason Barcën me tre gola (Video)

Juventusi ka bërë më të mirën në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve duke e mposhtur Barcelonën me rezultat 3-0.

Zonja e Vjetër bëri një gjysmë të parë fantastike duke bërë detyrën të gjitha repartet në mënyrë të përsosur.

Nuk kaluan as shtatë minuta lojë dhe rezultati u zhbllokua. Cuadrado vrapoi përpara dhe asistoi në qendër te Paulo Dybala, goditja e të cilit përfundoi në portë (7’).

Dy gola nga Paulo Dybala (Juventus)

Pas një loje të mrekullueshme të Mandzukic, kroati asistoi te Dybala, i cili realizoi edhe golin e dytë personal (22’).

Edhe pse loja e Bianconerëve ishte defensive, ata patën edhe raste të tjera shënimi, ndërsa shansin më të mirë për katalunasit e pati Andres Iniesta, të cilit iu mohua goli nga Gigi Buffon.

Juve vazhdoi me lojë të njëjtë edhe në gjysmën e dytë, duke u mbrojtur dhe duke kundërsulmuar. Gonzalo Higuan dështoi të shënonte përballë Ter Stegen, ndërsa bardhezinjtë humbën edhe disa raste të tjera.

Mirëpo, pas një harkimi nga këndi të Miralem Pjanic, Giorgio Chiellini shënoi me kokë golin e tretë (55’).

Giorgio Chiellini shënoi golin e tretë (Juventus)

Luis Suarez doli i vetëm para Buffon, por kapiteni i vendasve ishte sërish në vend. Në anën tjetër, Juves iu mohua një gol për pozitë jashtë loje, por që xhirimet treguan se vendimi ishte i dyshimtë.

Blaugranët sulmuan deri në fund në kërkim për të shënuar, por nikoqirët ia dolën që të mos pranonin gol. Madje ata ishin të rrezikshëm në rastet e tyre.

Ky rezultat e favorizon Juventusin për të shkuar në çerekfinale, mirëpo kur është fjala për Barcelonën dhe Camp Noun, gjithçka është e mundshme. /Telegrafi/

Exit mobile version