Jurgen Klopp beson se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar kishte të drejtë që vendosi sanksione ndaj pronarit të Chelseat, Roman Abramovich .
Miliarderi rus njoftoi vendimin e tij për të shitur klubin javën e kaluar, por çdo shitje e mundshme është në pritje për momentin.
Pasuritë e Abramovich janë ngrirë dhe Chelsea po operon nën një licencë të veçantë qeveritare për momentin.
Trajneri i Liverpoolit, Klopp, u pyet për sanksionet përpara përballjes së skuadrës së tij me Brighton dhe ai pranoi se i vjen keq për menaxherin kundërshtar Thomas Tuchel.
Ai gjithashtu shprehu trishtimin e tij për stafin e klubit, por u pajtua me sanksionet e vendosura ndaj Abramovich.
“Thomas dhe unë e njohim njëri-tjetrin, por nuk jemi aq të afërt. Ne bisedojmë rreth ndeshjeve, jo në momente të tjera”, ka thënë fillimisht Klopp për Telegraph.
“Unë ndjej për të dhe lojtarët sepse nuk është diçka për të cilën ata janë përgjegjës, çfarë ndodh përreth. Është një njeri që është përgjegjës për këtë dhe ai është Vladimir Putin, në radhë të parë”.
“Nuk e di për rolin e Roman Abramovich në të gjitha këto gjëra, por me kalimin e viteve mund të mendoni se ndoshta ai është shumë i afërt me Putinin dhe më pas mendoj se qeveria britanike ka të drejtë, për të qenë 100 për qind i sinqertë”.
“Por, ende nuk është mirë për të gjithë njerëzit në Chelsea dhe të gjithë mbështetësit, e kuptoj këtë, por mendoj se qeveria ka të drejtë”, përfundoi gjermani. /Telegrafi/