Anthony Joshua ka premtuar se do të ndeshet me Deontay Wilder edhe nëse amerikani mposhtet nga Tyson Fury.
Më 22 shtator, kampioni i WBA, IBF dhe WBO do të përballet me sfiduesin e detyrueshëm, Alexander Povetkin, në një meç që zhvillohet në Wembley.
Ky duel ka bërë që të shtyhet përballja e shumëpritur nga dashamirët e boksit, ndërmjet AJ dhe kampionit të WBC-së.
Duke qenë se nuk do të përballet me Joshuan këtë vit, Wilder vendosi ta pranonte sfidën me Tyson Furyn, me të cilin do të ndeshet në muajin dhjetor në Las Vegas.
“Do të ndeshemi pavarësisht, sepse jemi në të njëjtën kategori të peshave, në të njëjtën epokë dhe është meçi që njerëzit duan ta shohin”.
“Të themi se do të ndodhë më e keqja me Povetkin, kjo nuk do të më ndalojë që të ndeshem me ta”.
“Dhe nëse Wilder pëson në duelin ndaj Furyt, unë do të ndeshem sërish me Wilder”, citon The Sun fjalët e Joshuas.
Joshua nuk e nënvlerëson Povetkinin dhe pret një përballje të vështirë ndaj tij, prandaj ka vendosur t’i marrë gjërat një nga një.
Pas triumfit eventual ndaj tij do të nisë të mendojë për meçin ndaj ‘Bomberit të Bronztë’. /Telegrafi/