Telegrafi

Joshua reagon lidhur me njoftimet se do të marrë 18 milionë euro për të lejuar meçin e unifikimit Fury-Usyk

(Fotomontazh: express.co.uk/Getty)

Ylli i boksit në kategorinë e peshave të rënda, Anthony Joshua, ka ardhur me një deklaratë lidhur me raportimet se është i gatshëm të pranojë një shumë të majme parash për të lejuar zhvillimin e meçit ndërmjet Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk.

Pas humbjes së titujve në përballjen me ukrainasin në shtatorin e kaluar, britaniku e aktivizoi klauzolën e rimeçit. Mirëpo, është spekuluar se po zhvillohen bisedime që ai të bëjë mënjanë për ta lejuar zhvillimin e duelit të unifikimit, ndërmjet Usyk (kampion në WBA, IBF, WBO, IBO) dhe Fury (kampion në WBC).

Megjithatë, në një reagim në rrjetet sociale, 32-vjeçari ka mohuar të ketë arritur një marrëveshje të tillë duke u kërkuar tifozëve që t’i dëgjojnë vetëm gjërat që i thotë ai.

(Fotomontazh: express.co.uk/Getty)

“E dini cila është çmenduria e të gjitha këtyre intervistave që shoh? Shoh intervista të caktuara që citojnë se çfarë kam thënë unë. Por, pastaj them me vete: ‘Unë nuk kam dhënë intervista. Nga e mori ky person këtë informacion?’”.

Lexo po ashtu Joshua mund të pranojë 18 milionë euro për të lejuar meçin Fury-Usyk

“Po i dëgjoj njerëzit duke thënë: ‘AJ pranon 15 milionë funte që të bëjë mënjanë. Nuk kam nënshkruar asnjë kontratë; nuk kam parë asnjë kontratë”.

“Prandaj, siç po qëndron, mos dëgjoni gjepura derisa nuk vjen nga unë, unë jam njeriu që e kontrollon fatin tim, unë jam njeriu që e udhëheq biznesin tim”.

“Jam person i mençur dhe bëj vendime të kalkuluara për secilin hap në rrugën time. Mos i dëgjoni gjepurat nga burimet tjera, nëse ju them unë diçka, atëherë e dini se është e vërtetë”, ka deklaruar Joshua. /Telegrafi/