Telegrafi

Joshua ndeshet me Millerin më 1 qershor: Dua të lë shenjë në SHBA

Anthony Joshua, Jarrell Miller (Foto: Getty Images/Guliver)

Anthony Joshua ka folur në lidhje me debutimin e shumëpritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të ndeshet me Jarrell Miller, ndërsa ka premtuar një performancë eksplozive në Madison Square Garden të New Yorkut më 1 qershor.

Kampioni i unifikuar britanik e ngriti rekordin e tij në 22 fitore profesionale (21 me nokaut), pas triumfit ndaj Alexander Povetkin në muajin shtator në Wembley.

Ai do t’i mbrojë sërish titujt e tij, WBA (‘super’), IBF dhe WBO, kundër boksierit të pamposhtur nga Brooklyni, ‘Big Baby’ Miller.

Kampioni i IBF, WBA Super, WBO dhe IBO, Anthony Joshua (Foto: Richard Heathcote/Getty Images/Guliver)

Në këtë mënyrë, Joshua do të ndjekë hapat e legjendave të boksit, si Joe Louis, Joe Frazier, Lennox Lewis, Evander Holyfield e Muhammad Ali, pasi do të ndërrojë kontinent për të zhvilluar një ndeshje boksi.

“Më 1 qershor do të jem në ‘The Big Apple’, ku dua ta përvetësoj kulturën dhe të largohem me një oreks për më shumë. Do të ndeshem me Jarrell Miller, ne arenën legjendare Madison Square Garden”.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Anthony Joshua

“Ka qenë nder dhe bekim që jam ndeshur në disa prej vendeve më të mira në botë këtu në Mbretërinë e Bashkuar, jo vetëm në stadiumin Wembley, por ka ardhur koha që ta kaloj Atlantikun dhe t’i mbroj titujt e mi të peshave të rënda në SHBA”.

Sfiduesi i Joshuas, Jarrell Miller (Foto: Abbie Parr/Getty Images/Guliver)

“Po pranoj një sfidë të re me një boksier të mirë dhe një orator të shkëlqyeshëm. Do të jetë një përballje ngazëllyese, nuk do t’ia lë asgjë rastit dhe planifikoj ta çmontoj Millerin në stilin tim për të lënë shenjë”, ka deklaruar AJ, citon Sky Sports.

Ishte pritur që Tyson Fury apo Deontay Wilder të përballeshin me Joshuan, mirëpo ata vendosën që ta zhvillonin rimeçin ndërmjet tyre.

Sidoqoftë, pas duelit të dyshes dhe pas atij ndërmjet Joshuas dhe Millerit – fituesit e dy përballjeve pritet që të ndeshen me njëri-tjetrin. /Telegrafi/

Statistikat e Anthony Joshua dhe Jarrell Miller (Foto: SkySports)