Telegrafi

Johnson për bombardimin e Kharkivit nga forcat ruse: Më kujton bombardimin e Sarajevës

Kryeministri britanik Boris Johnson ishte sot në një udhëtim zyrtar në Poloni dhe Estoni, ku është takuar me liderët e këtyre  vendeve – me të cilët diskutoi për ngjarjet e fundit në Ukrainë.

Gjatë vizitës në bazën ushtarake Tapa në Estoni, Johnson së bashku me kryeministren e këtij vendi Kaja Kallas dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mbajtur një konferencë për media ku foli për ngjarjet më të fundit dhe bombardimet që po i kryen Rusia, transmeton Telegrafi.

Ndër tjera, kryeministri britanik ka folur për bombardimet në Kharkiv, ku i krahasoi me bombardimin e Sarajevës nga forcat serbe gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.

“Kur bëhet fjalë për ngjarjet në Kharkiv, është e tmerrshme. Më ka rikujtuar, nëse ju kujtohet, bombardimi i Sarajevës dhe tregut Markale që u krye nga ushtria serbe”, tha Johnson. /Telegrafi/