Gjithçka e kryer tashmë për transferimin e Joao Marios nga Interi te West Hami, në Ligën Premier.
Portugezi udhëtoi sot për në Londër dhe mediet angleze raportojnë se sapo ka kryer vizitat mjekësore, të cilat i ka kaluar me sukses.
Joao Mario shkon te West Hami me formulën e huazimit kundrejt 1.2 milionë eurove, me të drejtën e blerjes për 35 milionë të tjera.
Portugezi e pati shprehur edhe publikisht se kërkon më shumë hapësira, të cilat te Interi nuk po i gjente, pasi nuk arriti të përshtatet si duhet në Serinë A, pas një sezoni e gjysmë.
Largimi i tij pritet t’i hapë rrugën zikaltërve, që të synojnë një tjetër mesfushor, me Ramires, Pastore dhe Kovacic, që duken si synimet kryesore.
Nga ana tjetër, mbrëmjen e sotme zikaltrit kanë kontaktuar sërish me Liverpoolin, për të negociuar huazimin e sulmuesit Daniel Sturridge.