Christopher Nkunku është lojtari kryesor i RB Leipzig këtë edicion pas largimit të Timo Werner.
Mesfushori francez ka shkëlqyer prej se u transferua te klubi gjerman nga Paris Saint Germain dhe tani është bërë njëri nga mesfushorët më të mirë në Evropë.
23-vjeçari është objektivi kryesor i Arsenalit për edicionin e ri, por Topçinjtë nuk do ta kenë aspak të lehtë transferimin e tij.
Mediumi francez Le10sport ka raportuar se për mesfushorin në garë janë edhe tri skuadra tjera të mëdha, si Barcelona, Manchester United dhe Tottenham Hotspur.
Duke luajtur për RB Leipzig që nga edicioni 2019/20, Nkunku falë paraqitjeve të mira tani ka rritur dukshëm vlerën e tij.
Leipzig e kishte transferuar francezin dy vite më parë për 13 milionë euro, derisa ai tani vlen rreth 40 milionë.
Mesfushori ofensivë këtë edicion ka zhvilluar 32 ndeshje në të gjitha garat, ku ka shënuar shtatë gola dhe ka bërë tetë asistime. /Telegrafi/