Site icon Telegrafi

Jo vetëm Alexander-Arnold, Real Madridi ka ‘shënjestruar’ edhe një tjetër yll të Liverpoolit

Real Madridi raportohet se po konsideron mundësinë për transferimin e një tjetër lojtari të Liverpoolit mes thashethemeve se ata tashmë kanë shprehur interesim për Trent Alexander-Arnold.

Që prej se iu bashkua Liverpoolit si zëvendësues i Jurgen Klopp, Arne Slot ka shijuar një fillim fantastik të sezonit 2024/2025, duke humbur vetëm një ndeshje në të gjitha garat.

Një prej fitoreve më të mira të teknikut holandez është padyshim ajo me rezultat 2-0 ndaj Real Madridit në ‘Anfield’, të cilën e dominuan nga minuta e parë deri në fund.

Pak kohë pas asaj ndeshje, tashmë është raportuar se gjiganti spanjoll ka ‘shënjestruar’ një tjetër lojtar të klubit anglez si objektiv i tyre para hapjes së afatit kalimtar veror.

Sipas mediumit spanjoll Fichajes, kampioni aktual i La Ligas ka shprehur interesim për transferimin e mesfushorit hungarez Dominik Szoboszlai pasi ai po vazhdon me paraqitje të mira për Liverpoolin.

Szoboszlai i cili është vetëm 24-vjeçar, u bë pjesë e Liverpoolit në verën e 2023 duke u transferuar nga klubi gjerman RB Leipzig për 70 milionë euro.

Lexo po ashtu “Nuk më pëlqen të gënjej”, trajneri i Rayo Vallecanos pranon se Vinicius u godit brenda zonës së rrezikshme

Deri më tani këtë sezon, ai ka zhvilluar 22 ndeshje në të gjitha garat duke shënuar dy gola dhe duke asistuar në tre të tjerë.

Në rast se Real Madridi shpreson të joshë Szoboszlain për largim nga ‘Anfield’, ata me gjasë do të duhet të paguajnë jo më pak se 100 milionë euro për shërbimet e tij./Telegrafi/

Exit mobile version